‘World Press Photo Exhibition’, ekspozita që hedh dritë mbi fuqinë e fotografisë dhe luftës kundër lajmeve të rreme

5 Mars, 2020 - 8:02 pm

Xhemile Hysenaj

Në ambientet e Galerisë Kombëtare të Kosovës, u hap ekspozita ‘World Press Photo Exhibition 2019’, një ekspozitë kjo që trajtonte fuqinë e madhe që posedon fotografia, luftën kundër lajmeve të rreme dhe lirinë e shprehjes, shkruan KultPlus.

Për të hapur zyrtarisht ekspozitën, fjala iu dha ambasadores së Holandës në Kosovë, Gerrie Willems e cila falenderoi të pranishmit, duke e konsideruar një nder që gjendet në mesin e artistëve dhe artdashësve kosovarë.

‘Në një botë ku përçarje politike dhe shoqërore është në rritje, shtypi i lirë është absolutisht esencial. Pa të, le të jemi të sinqertë, ne nuk do të dinim se çfarë po ndodh në Siri apo vende tjera të botës. Ne nuk do të mësonim rreth korrupsionit. Prandaj, liria e shtypit është një prioritet për ne’, deklaroi ajo për të pranishmit

Pas ambasadores holandeze, fjalën e mori drejtoresha e Galerisë Kombëtare Arta Agani, e cila tregoi pranishmit se programi i Galerisë Kombëtare ka të bëjë me projektet që reflektojnë mbi realitetin e skenës së artit kontemporant.

‘Ne përpiqemi të trajtojmë sa më shumë çështje globale dhe lokale, në mënyrë që arti jonë të frymëzojë dhe të ndikojë në artin dhe kulturën e botës dhe të vendit tonë’, vazhdoi tutje Agani.

E pranishme ishte edhe ambasadorja kroate Danijela Barisic, ku shpalosi edhe arsyet se pse sonte ishte e pranishme në këtë ekspozitë, ajo tregoi se njëra nga e shumta është fakti që edhe ajo dikur në karrierën e saj profesionale është ballafaquar me media dhe se është në dijeni të plotë për fuqinë e madhe që këto të fundit posedojnë.
‘Fotografia, e veçanërisht fotografitë që dokumentojnë është arma më e fuqishme kundër lajmeve të rreme. Dhe një nga prioritetet tona është që të mbrojmë këtë dhe të luftojmë kundër lajmeve të rreme në platformat digjitale’, potencoi Barisic

Ambasadorja kroate ndër të tjera tregoi se fotografitë në media janë ato që mund të përdoren për të shprehur lirinë e fjalës po edhe për të manipuluar.

‘Nëse njerëzit do të prodhonin e shkruanin gjëra të mira, nuk do të kishim nevojë për lirinë e shprehjes. Disa nga këto fotografi janë kontraverse, disa janë të dhimbshme e disa ta bëjnë zemrën që të rrahë më shpejt. Këtu, në këtë ekspozitë ne shohim fuqinë që ka fotografia.’ u shpreh për të pranishmit ambasadorja suedeze, Karin Nernmarck.

Ndërkaq pjesë e kësaj ekspozitë ishte edhe paneli diskutues, kur të pranishëm ishin ministrja e Kulturës Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi, përfaqësuesi i OSCE-së Kilian Wahl, fotografi Arben Llapashtica dhe drejtoresha e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës Gentiana Begolli dhe kuratorja e ekspozitës Samira Damato, të cilët diskutuan rreth lirisë në shtyp, keqpërdorimit të fotografisë e lajmeve të rreme.

Fjalën e mori kuratorja e ekspozitës, Samira e cila tregoi të jetë mjaft e kënaqur që këtë fotografi po zënë vend edhe në muret e Galerisë Kombëtare të Kosovës. Ku ndër të tjera tregoi se për këtë projekt kishin aplikuar më shumë se 80.000 fotograf, gjë që punën e ka bërë edhe më të vështirë dhe se përzgjedhja e fotografive është bërë në mënyrë anonime.

Pas kuratores, fjalën e mori fotografi Arben Llapashtica ku për të pranishmit tregoi edhe mangësitë e shtetit tonë në raport me mbrojtjen e të drejtave të fotografisë, pasiqë fotografitë sipas tij janë keqpërdorur shumë herë, jo vetëm nga mediat në Kosovë por edhe në ato ndërkombëtare.
‘Për mua ka qenë e rëndësishme që fotografitë e mia të përçojnë një mesazh dhe të rregullohet imazhi i Kosovës nëpër botë.” deklaroi Llapashtica

Drejtoresha e Asociacionit të Gazetarëve, Gentiana Begolli shprehi keqardhjen e saj që ky asociacion dhe institucionet tjera i kanë anashkaluar deri diku fotoreportetët pasiqë sipas saj këta të fundit bëjnë një punë shumë të madhe dhe shpesh herë janë pre e kërcënimeve e keqtrajtimeve të ndryshme dhe se nuk kanë shumë hapësirë në Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës.

Një ekspozitë me përmasa botërore ku prezentohen vende të ndryshme, fotografi këto që dhëjnë një mesazh që bota disi është e trazuar dhe ne si qytetar të Kosovës por edhe në përgjithësi si shoqëri kërkojmë më shumë paqe jo vetëm për Kosovën por edhe për botën. Fotografia si shprehje e artit vizual tash në kohën moderne është informata e parë që vjen tek shoqëria dhe kjo na bën më shumë kurreshtar drejt informacionit të shkruar. Për Kosovën është nder të ketë një ekspozitë të tillë.

‘World Press Photo Exhibition 2019’ është një ekspozitë që shpalos para botës ngjarje të rëndësishme nga gjithë globi dhe që mbledh më shumë se katër milionë vizitorë në 45 shtete dhe 100 qytete çdo vit.

Kjo ekspozitë pritet të jetë e hapur për publikun për tre javë rresht. / KultPlus.com

Të ngjajshme