Zbulohet buceta e shtatores së Fadil Vokrrit, skulptori Agron Blakqori: Në shtator do të jetë e gatshme

9 Qershor, 2020 - 4:08 pm

Jeta Zymberi

Suksesi i futbollit të Kosovës, ka ardhur kryekëput falë legjendës së futbollit shqiptar dhe ish-presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrrit, shkruan KultPlus.

Vokrri, i cili vdiq para dy viteve, ishte njeriu më vendimtar në fushatën e Kosovës për t’u njohur si vend i futbollit. Ai ishte futbollisti më i madh që Kosova e ka prodhuar – edhe pse ky epitet mund të sfidohet së shpejti nga gjenerata e reja premtuese e talenteve që po lindin.

Pas vdekjes së tij, stadiumi i ekipit kombëtar mori emër të ri për nder të tij: Stadiumi Fadil Vokrri, aty ku sot u zbulua buceta fituese e shtatores së tij, autor i secilës është skulptori Agron Blakqori.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti mori pjesë në manifestimin e organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ku me këtë rast e ka quajtur këtë si një moment të veçantë. Sipas tij, para kësaj shtatore në të ardhmen do të përkulen sportistë dhe legjendat e ardhshme të futbollit.

Buceta ideo-artistike e skulptorit kosovar Agron Blakqori, shumë shpejt do të shndërrohet në një shtatore e cila do të zërë vend përpara stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Ministria e Kulturës fillimisht ka hapur konkurs për projektin e hartimit të shtatores si dhe parkun përreth stadiumit në Prishtinë. Skulptori Agron Blakqori, ka treguar për KultPlus se koha ka qenë e shkurtër, por ai ka arritur të realizojë bucetën me sukses. Buceta shfaq figurën e Vokrrit në aksion për të shënuar.

“Konkursi ka qenë publik nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit, unë kam marrë pjesë, përkundër që koha ka qenë e shkurtër, kam arrit me realizu bucetën. Unë jam gjeneratë e re dhe nuk e mbaj mend kohën kur ka luajtur Fadil Vokrri, por duke u bazuar në fotografi, video dhe duke u konsultuar me futbollistë e familjarë, besoj e kemi nxjerrë në formën më të mirë. Kjo lëvizje i përgjigjet më së shumti Fadilit sepse e ka topin përpara dhe është në aksion për të shënuar gol”, ka thënë Blakqori për KultPlus.

Sipas kritereve të konkursit, shtatorja pritet të jetë 3 metra dhe Blakqori ka treguar që shtatorja do t’i nënshtrohet disa procese të punës dhe në fund do të bëhet procesi i modelimit dhe do të shkrihet në bronz.

“Sipas planit dinamik, besoj që kah fundi i muajit shtator dhe fillimi i muajit tetor, shtatorja do të jetë e gatshme”, thotë autori.

Shtatorja e cila pritet të vendoset para hyrjes së stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë., do t’i ketë në dispozicion rreth 100 metra katrorë. Ku përveç bazës është ideuar edhe pjesa rreth shtatores.

“Është paraparë që të jenë në dispozicion 100 metra katrorë dhe për këtë kam bashkëpunuar me arkitektin Valon Xhelili i cili e ka realizuar pjesën ideore në 3D, përveç bazës edhe pjesën përreth shatores”, ka thënë tutje skulptori.

Buceta si e tillë nuk i ka të përfshira të gjitha detajet, por Blakqori tregon se ka ende punë për tu bërë deri në finalizim. E për një shtatore të detajuar ai thotë që do të bashkëpunojë ngushtë edhe me futbollistët e familjarët e Fadil Vokrrit.

“Mezi po pres të filloj punën”, shprehet skulptori.

Ndërsa arkitekti Valon Xhelili ka treguar për KultPlus rreth idesë së tij për pjesën rreth shtatores. Sipas tij kërkesa e Agronit ka qenë që pjesës rreth shtatores t’i jepet një karakter.

“Ideja që përfaqëson ky projekt ideor ndërlidhet me flamujt që gjenden mbrapa statujës që përfaqësojnë 6 yjet e flamurit tonë shtetëror, pastaj pjesa e platformës ku është e vendosur statuja e Fadilit që asocon në topin e futbollit por me materializim të ndryshëm që rrethohet me ndriçim dhe që nëse largohemi pak në distancë e vërejmë që edhe në këto pozicione ku paraqitet ndriçimi formohet harta e Kosovës”, ka treguar Xhelili.

Vlera e parashikuar për këtë projekt është paraparë 49 mijë euro. / KultPlus.com

Të ngjajshme