Zeni Ballazhi vjen me ekspozitë në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë

25 Nëntor, 2017 - 9:49 am

Galeria Kombëtare e Arteve ka kënaqësinë të hapë dyert e saj në Natën e Bardhë.

29 Nëntori, dedikuar natës së gjatë të muzeve, vjen në GKA me inagurimin e një ekspozite të re.

Në koleksionin “Pa titull” që artisti kosovar Zeni Ballazhi propozon për publikun shqiptar dhe të huaj, përpiqet që nëpërmjet artit të rindërtojë shpirtërisht unitetin e njeriut, t’i rijapë atij energji dhe tension, për të transformuar raportin e tij personal me botën.

“Koncepti i artit përqaset me nevojën për të futur të gjithë elementet e gjallë në raport me botën dhe komunikimin ndërmjet tyre, pa privilegjuar asnjë…”shprehet Ballazhi.

Në vizionin e tij mbi artin bashkëkohor artisti është i vetëdijshëm se ndikimi i realitetit që e rrethon, tek artisti është mjaft i rëndësishëm dhe se ai vlerëson artin tek emocioni që ai i transmeton publikut si edhe tek profesionalizmi që artisti shfaq përmes disa mediumeve si: video-instalacion, pikturë, disenjo, fotografi, skenografi filmi dhe teatri, kostumografi, land art.

Ekspozita do të hapet në orën 18:00.

Në mbrëmjen e “Natës së Bardhë”, deri në orët e para të mëngjesit publiku do të ketë mundësi të vizitojë të gjitha sallat e Galerisë Kombëtare të Arteve, siç është linja muzeale me krijimtarinë e artistëve të traditës si: Kol Indromeno, Simon Rrota, Ndoc Martini, Spiro Xega, Zef Kolombi, Vangjush Mio, si dhe tablotë me vepra të artit të propagandës komuniste që u realizuan në Shqipëri nga viti 1944-1990. Në dy salla të veçanta të Galerisë, gjatë Natës së Bardhë, do të vazhdojnë të jenë të hapura dy ekspozitat e përkohshme: Kotësia e Dallime të Vogla” nga GRAYSON PERRY dhe ekspozita e artistes së njohur gjermane ROSAMARIE TROCKEL. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme