15 vite pa regjisorin Besim Sahatçiu, kujtohet nga djali Besniku

20 Tetor, 2020 - 2:04 pm

Sot janë bërë 15 vite pa regjisorin e njohur Besim Sahatçiun. Gjyshi i Rita Orës ishte një personalitet me influencë në shoqërinë shqiptare, shkruan KultPlus.

Besim Sahatçiu, ishte drejtor i teatrit, filmit dhe televizionit. U lind më 2 tetor 1935, në Pejë. Shkollën fillore dhe të mesmen, Besim Sahatçiu i kreu në qytetin ku u lind. Më tej ndoqi dy vjet letërsi botërore në Universitetin e Beogradit. Pas ndërprerjes së studimeve, për shkak të shërbimit ushtarak të detyrueshëm, punoi katër vjet si përkthyes në “Rilindje”. Më pas u regjistrua në degën e regjisurës pranë Akademisë së Teatrit e të Filmit në Zagreb, të cilën e përfundoi më 1972. Besim Sahatçiu ka qenë regjisor i dhjetëra filmave, regjisor i teatrit, regjisor i dhjetëra e dhjetëra emisioneve televizive dhe laureat i dhjetëra çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare.

Si drejtor skenik, ai punoi në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Ishte një regjisor e skenarist i njohur i filmave “Përroi vërshues”, “Nabujala reka”, “Trimi”, “Pasqyra”, “Lulepjeshkat e dashurisë” dhe projekteve tjera filmike ndër vite.

“Era dhe lisi” ishte njëri nga super-filmat shqiptar i prodhuar nga Kosovafilmi në vitin 1979 me regji të Besim Sahatçiut. Ndërsa në rolet kryesore ishin dy nga aktorët e mirënjohur, Faruk Begolli dhe Abdurrahman Shala.

Filmi i tij “117” morri çmimin kryesor në Festivalin e Dokumentarit në Beograd në vitin 1978.

Sot, në këtë 15 vjetor e kujton edhe djali i tij Besnik Sahatçiu Ora, i cili teksa ka ndarë disa fotografi të babit që mbërthejnë jetën e tij prej artisti dhe familjari, ai gjithashtu është shprehur se e kujtojnë përherë me mall e dashuri .

“15 vite pa ty. Disa foto të Besimit gjatë punës, me kolegë, me bashkëshorten dhe djemtë, me nipat dhe nipeshat. Të kujtojmë me mall dhe dashuri, Familja jote”, ka shkruar Besniku.

Ndërsa Rita Ora kësisoj ka ndjekur rrugën artistike të gjyshit të saj dhe në disa intervista edhe e ka përmendur atë si një person prej të cilit ajo ka marrë forcë dhe është inspiruar.

Regjisori, Besim Sahatçiu, ndërroi jetë në vitin 2005. / KultPlus.com

Të ngjajshme