Komedia “Vdis duke qeshur” mirëpritet nga publiku i Tiranës

5 Nëntor, 2021 - 10:00 pm

Komedia “Vdis duke qeshur” e vënë në skenë nga Teatri “Andon Zako Çajupi” i Korçës po mirëpritet nga publiku kryeqytetas.

E shfaqur në skenën e Art Turbina më 3 dhe 4 nëntor komedia e vënë në skenë nga regjisori Ilir Bokshi, u duartrokit gjatë nga publiku. Ndërkohë, biletat për shfaqjet e datës 5, 6 dhe 7 nëntor janë shitur të gjitha.

Vepra e autorit Paul Elliott, me regji nga Ilir Bokshi ka bërë bashkë aktorë të njohur të Teatrit të Korçës, por dhe artistë të tjerë si Luiza Xhuvani, Zamira Kita, Olta Daku, Silvio Goskova e Paola Kodra. Skenografia e këtij projekti është nga skenografi i mirënjohur Beqo Nanaj.

Aktori Silvio Goskova luan një karakter shumë të bukur dhe të spikatur dhe Paola Kodra, një aktore e re, por e suksesshme e teatrit “Andon Zako Çajupi” interpreton rolin e Rejçell, një vajzë plot ëndrra dhe pasione, por që ndesh pabesi e surpriza. Që të dy aktorët e rinj kanë spikatur dhe janë vlerësuar nga publiku dhe kritika në disa projekte të ndryshme të realizuara më herët.

Regjisori Ilir Bokshi ka realizuar projekte të ndryshme të suksesshme në skenat shqiptare me vepra si “Togeri i Inishmorit”, “Menaxheria e qelqtë”, “Nata e dymbëdhjetë”, “Edipi Mbret”, “Ferma e kafshëve”, etj./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme