Kushtrim Hoxha: Është padrejtësi e madhe që kosovarët kanë ende nevojë për viza

17 Korrik, 2017 - 1:42 pm

I pyetur se çfarë kauze ai e përkrahë, ai ka folur mbi liberalizimin e vizave.

Aktori kosovar Kushtrim Hoxha, i cili ka kohë që jeton dhe punon në Amerikë, në një intervistë për NY Elite Magazine ka zbuluar më shumë për veten e tij dh planet e tij.

Derisa ka treguar se i pëlqen muzika dhe shkruan tekste këngësh në kohën e lirë, ai ka treguar se aktrimi është një mënyrë edhe për ta njohur veten.

“Nuk ka të bëjë me pasuri apo me famë. Unë do të vazhdoj të eksploroj role të tjera dhe do të zbuloj më shumë mbi veten në karakteret që i luaj, dhe kjo e bën aktrimin ende më të mahnitshëm” ka treguar Hoxha.

Roli i Montanos në Othello dhe i Stefanit në The Americans, dhe roli i Fadilit në Cold November janë rolet që ai i përmend si më të rëndësishmet dhe që kanë lënë më shumë mbresa tek ai.

I pyetur se çfarë kauze ai e përkrahë, ai ka folur mbi liberalizimin e vizave.

“Unë jam përkrahës i të drejtës së fjalës dhe lirisë së lëvizjes. Është e pabesueshme që edhe 20-të vite pas luftës në Kosovë njerëzit ende duhet të presin në radhë për të marrë një vizë. Mendoj se kjo është padrejtësi dhe nuk është njerëzore” tregon aktori Hoxha në këtë intervistë.

Hoxha ka lindur në Gjakovë në vitin 1978. / KultPlus.com

Të ngjajshme