91 vjetori i lindjes së Xhevat Qenës, aktori i qindra roleve në film e teatër

5 Tetor, 2023 - 4:00 pm

Aktori Xhevat Qena lindi në Mitrovicë më 5 tetor të vitit 1932. Ai ka luajtur qindra role në teatër. Rolin e parë kryesor e ka luajtur ndërmjet viteve 1956-1957.

Sensi i tij për komiken si dhe profili i tij i veçantë kanë bërë që ai të jetë një prej aktorëve më të kërkuar në komedi, megjithëqë, siç pohon ai në një intervistë të tij, më tepër e ka dashur dramën: “Unë e kam dashur dramën se e kam në vete njëfarë dramaciteti, e kam njëfarë fuqie për dramë… P.sh., roli që me ka lënë mbresa shumë ka qenë një rol episodik i një avokati, i një të çmenduri, në dramën “Oda e errët. Gati jam çmendur edhe vet, duke u thelluar në atë rol”.

Kolegët dhe njerëzit që njohën potencialin e tij, mendojnë se është mëkat që ai është shfrytëzuar shumë pak në drama. Xhevat Qena ka luajtur shumë, edhe role kryesore edhe role të dyta apo madje edhe të treta. Aktori Dibran Tahiri pohon se kur në ndonjë shfaqje teatrore ka partner Xhevat Qenën, ndien siguri të madhe. Xhevat Qena mund të përshkruhet si aktor që ka një aftësi të jashtëzakonshme të mbajë të përqendruar vëmendjen e publikut.

Një prej roleve më të suksesshme të Xhevat Qenës është padyshim ai në shfaqjen “Përqafimi”, i autorit Ranko Marinkoviq, me regjisor Tomislav Durbeshiqin, ku kishte partner Dibran Tahirin. Shfaqje tjetër, ku potenciali i Xhevat Qenës si aktor del i plotë, është “Duart e ndyra”, të Sartrit, në të cilën luan edhe bashkëshortja e tij Leze Qena, pastaj shfaqja “Ushtari i mirë Shvejk”, në regji të Abdurrahman Shalës, ku Xhevat Qena luan rolin e Shvejkut, një personazh tragjikomik. Madje, në shfaqjen “Vinetu” (vitet e 60-ta), në të cilën luan rolin kryesor, atë të Vinetus, personazh i njohur i filmave uestem të asaj kohe….

Për mbi dyzet vjet në skenë, Xhevat Qena hyn në radhën e aktorëve cilësor, me merita të pakontestueshme për teatrin kosovar. Rolet e tij, por edhe të bashkëshortes së tij Leze Qena, për këto vite kanë rrezatuar te publiku subtilitetin që ofron bota artistike a teatrit dhe flimit.

Aktori Xhevat Qena, ka arritur që për dyzet vjet të krijimtarisë së tij, të përçojë te publiku “bardhësinë” e shpirtit të tij krijues, t’ia përçojë emocionet më të sinqerta publikut, i cili vazhdon ta respektojë dhe ta kujtojë me nostalgji. /KultPlus.com

Të ngjajshme