96 vjetori i lindjes së aktorit të shquar, Marlon Brando

3 Prill, 2020 - 11:00 am

Marlon Brando është cilësuar si ndër aktorët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Dhe është e çuditshme sepse ai kurrë nuk kërkoi të tërhiqte vëmendjen e publikut. Jeta e tij ishte tepër e mbyllur. Por fama e ndërthurur me tragjeditë personale dhe qëndrimet e tij politike, bënë që Brando të ishte vazhdimisht në vëmendje të shtypit e publikut, si atëherë kur refuzoi të merrte çmimin Oskar edhe kur i biri u dënua për vrasje dhe vajza e tij vrau veten.

“Mund të isha bërë dikushi, në vend të një njeriu pa vlerë”.

Këtë thotë Marlon Brando, në filmin “On the Waterfront” në vitin 1954, në rolin e një ish boksieri që e ndjente veten të dështuar.

Por ai ishte sukses. Shumë kritikë thonë se Brando ishte një prej aktorëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Edhe shumë aktorë thonë se Brando ndikoi në formimin e tyre më shumë se çdo njeri tjetër në indistrinë e filmit.

Marlon Brando lindi në Omaha të Nebraskës më 3 prill të vitit 1924 në një familje tipike amerikane – me prejardhje holandeze, irlandeze, gjermane e angleze. E ëma e tij ishte aktore, i ati tregtar. Fëmijëria e tij nuk ishte e gëzuar. Në një libër autobiografik, Brando shkruante se prindërit e tij ishin të varur nga alkoholi dhe babai i tij kurrë nuk i tha një fjalë të mire. Interesimin e tij për t’u bërë aktor, Brando e lidh me vitet e trishtueshme të fëmijërisë. Ai thoshte se fëmija që ndjehet i papranueshëm nga prindërit e vet do të vihet në kërkim për një tjetër identitet që do të ishte i pranueshëm.

Brando pati një rini të turbullt. Në moshën 16 vjeçare hyri në akademinë ushtarake. Në vitin e fundit, ai përjashtohet edhe shkolla për ikje pa leje. Brando kthehet në qytetin e lindjes ku për pak kohë punoi në mirëmbajtje rrugës e hapje kanalesh. Më 1943, në moshën 19 vjeçare, Marlon Brando vendoset në qytetin e Nju Jorkut, ku me ndihmën e motrës që ishte këngëtare, u regjistrua në Studion e Aktorëve, shkollë aktorësh e cila zbatonte teknikat e sistemit të Stanislavskit në aktrim. Kjo metodë e mësonte aktorin të luante, duke përdorur përvojën jetësore personale. Në vitin 1947, Brando u bë mjaft njohur kur luajti rolin e Stanly Kovalksit, në dramën e Tenesi Uillamsit, Streetcar named Desire. Sipas kritikës së kohës, ky interpretim i Brandos krijoi modelin për formën amerikane të metodës së aktrimit.

Fama e tij u shtua kur Streetcar Named Desire u realizua në flim, me Brandon në të njëjtin rol. Gjatë karierës së tij, Marlon Brando luajti në më shumë se 40 filma. Ai fitoi dy çmime Oskar si aktori më i mire. Një për rolin e tij në filmin On the Waterfront, më 1954, dhe tjetrin për rolin e Vito Korleones në filmin Goodfather, në vitin 1972. Këtë çmim të fundit ai e refuzoi në shenjë proteste kundër mënyrës sesi indianët e Amerikës paraqiteshin nëpër filma. Pas aktorit Xhorxh C. Skot, Marlon Brando aktori i dytë në historinë amerikane të kinematografisë që ka refuzuar çmimin Oskar.

Brando kurrë nuk kërkoi të tërhiqte vemendjen e publikut. Në vitin 1973, ai i theu nofullen një paparazzi, Ron Gallela që u përpoq t’a fotografonte. Thuhet se që atëherë, kur i afrohej Brandos, Gallella vinte në kokë një helmetë si ato të futbollistëve. Jeta e Brandos ishte tepër private. Por ai ishte yll kinematografie. Kjo, ndërthurur me tragjeditë e tij personale dhe qëndrimet e tij politike, bënë që Brando të ishte vazhdimisht në vëmendje të shtypit e publikut.

Në jetë ai u ndesh me disa tragjedi. Djali i tij u dënua me 10 vjet burgim për vrasje, ndërsa më 1995, vajza e tij vrau veten.

Në vitet 1980 –’90 ai u bë tepër mbipeshë duke arritur deri në 140 kilogram. Regjisorët e tij thonë se me të ishte vështirë të punoje, ndërsa shumë aktorë thonë se Brando ishte i pakursyer në çfarë do lloj ndihme.

Marlon Brando ishte mik i ngushtë i këngëtarit Majkëll Xhakson, ndërsa djali i tij Miko, ishte për shumë vite roje personale e këngëtarit të njohur. Brando vdiq në gusht të vitit 2004 në moshën 80 vjeçare nga një komplikacion sëmundjesh të ndryshme kronike, përfshi diabetin. Trupi u kremua dhe hiri i tij u shpërnda një pjesë në ishullin e tij në Tahiti dhe pjesa tjetër në Luginën e Vdekjes në Kaliforni.

Me një karrierë aktrimi prej gjysmë shekulli, i shpallur nga akademia amerikane e filmit si aktori më i madh i të gjitha kohërave, Marlon Brando renditet sot mes 100 njerëzve më të rëndësishëm të shekullit të XX, sipas revistës ‘Tajm’. /KultPlus.com

Marlon Brando holding a cat in a scene from the film ‘The Godfather’, 1972. (Photo by Paramount/Getty Images)

Të ngjajshme