‘Aga’ nga Lendita Zeqiraj, në mesin e 23 projekteve në ‘Meeting Point’ në Festivalin e Vilniusit

16 Mars, 2018 - 3:58 pm

Njëzetë e tre projekte filmike do të prezentohen në edicionin e nëntë të Meeting Point – Vilnius që do të mbahet prej 27 deri 29 mars 2018, gjatë festivalit Vilnius International Film Festival ‘Kino Pavasaris’.

Meeting Point – Vilnius është ngjarje e industrisë së filmit ku marrin pjesë profesionistë të industrisë nga Lituania, shtetet Baltike dhe nga Evropa. Më shumë se 200 profesionistë marrin pjesë në këtë ngjarje, e cila ngërthen në vete konferenca të ndryshme, prezentimin e projekteve filmike në programin Coming Soon, ligjerata etj.

Festivali sapo ka lansuar listën e projekteve filmike në programin ‘Coming Soon’ ku është përzgjedhur edhe projekti filmik ‘Aga’ nga Lendita Zeqiraj me producent Bujar Kabashin, film ky i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës.

Ky program shërben si platformë për filmbërësit debutant që të zhvillohen ose të finalizojnë me sukses projektet e tyre filmike. Këta filma prezentohen përpara programerëve të festivaleve, producentëve, agjentëve dhe distributorëve. Tri nga projektet pjesëmarrëse do të zgjedhen për shfaqje në ‘Industry Screenings’ në tregun e madh të festivalit Cannes.

Disa fragmente nga këta fitues do të shfaqen në sesionin ‘Vilnius IFF Goes to Cannes’ gjatë këtij edicionit të Cannes. Dy projekte tjera do të marrin çmimin për postproduksion të audios dhe videos nga Vilnius Film Cluster dhe çmimin e posaçëm për ruajtjen dhe promovimin digjital. / KultPlus.com

Të ngjajshme