Dekorohet aktori Aleksandër Rrapi, ambasador i kulturës shqiptare në botë

17 Mars, 2021 - 12:58 pm

Aktori shqiptar mjaft i njohur dhe në Greqi, Aleksandër Rrapi është dekoruar me titullin “Mjeshtër i madh” nga presidenti Ilir Meta.

Ai mori dekoratën e lartë me motivacionin: “Për talentin e spikatur dhe interpretimet me mjeshtëri të lartë artistike të roleve të shumta në fushën e artit skenik, televizionit e kinematografisë, veçanërisht në skenat greke të teatrit e telenovelave dhe në diasporë. Me cilësitë dhe aftësitë e shquara artistike ka shënuar arritje të larta personale, si dhe ka demonstruar kudo vlerat më të mira të traditës së shkollës shqiptare të dramaturgjisë, artit dhe kulturës së vendit amtar”.

“I pajisur me talentin, përkushtimin dhe pasionin për artin e aktrimit dhe kinematografinë ai do të gdhendte faqe të rëndësishme suksesi në skenat e teatrit, filmit dhe ekranet e televizioneve, duke u konsideruar sot si njëri prej artistëve bashkëkohorë më të njohur të diasporës shqiptare. Arritjet e tij artistike i kanë kapërcyer me kohë kufijtë e Shqipërisë! Arti vërtetë nuk njeh kufij: Ai i përket gjithë njerëzimit dhe bashkon popujt dhe kulturat e tyre! Falë mjeshtërisë së tij, aftësisë shprehëse dhe cilësive artistike, fama dhe emri i Aleksandrit u bënë të dashur dhe të kërkuar për spektatorin dhe shtypin grek. Aktualisht ai renditet në ata pak aktorë shqiptarë nëpër botë që kanë interpretuar mjeshtërisht dhe me sukses tragjeditë dhe komeditë e lashtësisë greke”, tha presidenti Meta.

KUSH ESHTE ALEKSANDER RRAPI

Aleksandër Rrapi lindi me 18 gusht 1963, ne qytetin e Beratit. Pasi mbaroi studimet në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, emigroi si shumë artistë të tjerë në shtetin fqinj, Greqi.

Dëshira për të shkelur në skenat greke asnjëherë nuk u shua brenda tij, dhe kjo i jepte më shumë forcë dhe energji për të realizuar këtë ëndërr të fëmijërisë së tij. Kontakti i parë me teatrin dhe skenat greke, ishte bashkëpunimi që kishte me një nga Bashkitë e Athinës, duke ngritur për herë të parë Grupin teatral të Kerateas, si regjisor duke vënë në skenë komedinë “Kërkohet genjeshtari” të Dh.Psathas. Bashkëpunimi profesionist i tij, fillon në 2002 në telenovelen; ”Dashuria erdhi nga larg” të regjisorit të njohur grek. M.Manushaqi. Emri dhe talenti i tij lakohej shpesh në teatrot dhe shtypin grek duke e cilësuar si: Alvanosi me portretin e tragjedisë greke.

Arritjet e tij profesionale në Greqi, vlerësohen edhe nga Ambasada Shqiptare në Athine, e cila i kushton një ceremoni të plotë largimit të tij për në Amerikë. Edhe sot dëshira dhe interesi i tij profesional përtej oqeanit nuk kanë shterur, vazhdon të jetë pjesë aktive e komunitetit Shqiptare të Floridës, ku përveç punës së tij bazë, gjen kohën të merret me aktivitetet e ndryshme të shqiptarëve atje. / Diaspora Shqiptare / KultPlus.com

Të ngjajshme