‘Ajo’ nga More Raça, një reflektim mbi rrugëtimin e grave të cilat ikin prej dhunës

5 Dhjetor, 2018 - 9:49 am

Arbër Selmani

Lajmet për dhunën e ushtruar ndaj grave po shtohen dita-ditës, njëjtë si barra e zemrës së qytetarit i cili lëngon prej dhimbjes kur dëgjon se gruaja kosovare vendin më të rrezikshëm e ka pikërisht brendësinë e shtëpisë së saj.
Megithatë, shpesh një grua largohet, merr zemër dhe zgjedhë diçka më të mirë, ose veç merr rrugë të cilën nuk e njeh por e ndjen se nuk ka dhunë në atë drejtim.

E njëjtë është gruaja në filmin “Ajo” nga More Raça. Vajza e saj e largon nga babai dhe vëllau, ndërsa nëna e lumtur bashkë me vajzën në veturë largohen për një jetë më të mirë. Nëna e ka fytyrën me shenja nga goditjet e dhunës, derisa vajza në fund të filmit ka arsye të buzëqeshë. Burri është i tmerrshëm, e djali është viktima që pajtohet me të atin. Por ka një shpëtimtare, e cila e kupton më së miri zemrën, trupin dhe fizikun që dhemb të nënës së saj të pafat.

Aurita Agushi, Sunaj Raça, Florist Bajgora dhe Diella Valla janë katër aktorët e filmit “Ajo” me regji nga More Raça, i cili mbrëmë u shfaq në Qendrën Informative dhe Kulturore të Bashkimit Evropian në kryeqytet, në kuadër të dhjetorit që në këtë Qendër po shënohet si muaji i grave të suksesshme kosovare, në fushën e artit dhe kulturës.

Filmi 12-të minutësh tregon për dhunën në familje, një inspirim i radhës i regjisores e cila sapo është kthyer nga Amerika, atje ku e promovoi filmin e saj dhe e cila pret që ndoshta ky film të mund të nominohet në listën e ngushtë të filmave të shkurtër në ceremoninë Oscars.
“Unë e kam ndje obligim me e përdorë artin tim për të mirën e shoqërisë, për me ngritë debate, dhe gjithmonë kam dashur me sjellë në ekran histori të parrëfyera. Filmi “Ajo” për mua ka qenë një proces i ndjeshëm dhe i dhimbshëm sepse gjatë shkrimit të skenarit kam takuar gra që janë viktimë e dhunës, disa prej tyre edhe kanë nisur një jetë të re dhe janë larguar” tregoi në bisedën e zhvilluar pas filmit regjisorja More Raça.

Filmi ka nisur mbarë, ndërsa është shfaqur për 15 ditë në rreth 350 kinema rreth e qark Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Më pas filmi fitoi në Mahnattan ndërsa para pak ditësh morri çmimin special të jurisë në Kajro, në një festival të kategorisë A. Historia shqiptare kësisoj shndërrohet në histori universale, e dhuna ndaj gruas kosovare bëhet dhuna ndaj secilës grua. Sepse në fakt, të rrahësh një grua duket sikur ke goditur secilën grua që merr frymë në këtë botë.
“Fundi i lumtur i filmit tregon se ka shpresë. Unë gjithmonë e kam pyetur veten se pse këto gra nuk ikin, nuk largohen, por gjithmonë ka arsye e rrethana të ndryshme. Në film së paku vjen një fund me buzëqeshje. Unë dua poashtu me këtë film të reflektoj mbi atë se sa bën ky shtet dhe kjo shoqëri për këtë rrugëtim të largimit të këtyre grave, dhe sa i sigurtë është ky rrugëtim” tregon tutje More Raça, regjisore e filmit “Ajo” dhe disa filmave të tjerë të cilët gjithmonë lidhen me gruan kosovare dhe me realitetin rreth saj.

Gjatë filmit janë përdor kuadro të fytyrës të cilët qëndrojnë të tillë për disa minuta, dhe sipas Moresë kjo vjen sepse ajo dëshiron që audienca të futet thellë në personazhet gra brenda filmit dhe në emocionet e tyre.
“Unë si i vogël jam mësu me e pa gruan dhe femrën si pjesë timen, prandaj shpesh e kam problem me e kuptu edhe rolin tim në film, se si dikush pajtohet me një trajtim të tillë ndaj gruas” tregon në anën tjetër Florist Bajgora, aktor në këtë film, në rolin e djalit të familjes i cili është dukshëm një viktimë e mentalitetit por nuk bën zë dhe pajtohet me trajtimin që po i bëhet nënës së tij.

E pranishme në diskutim ishte edhe Aurita Agushi, aktore në film, e cila barti mbi vete fuqinë e tërë filmit duke qenë gruaja e heshtur që flet me zë më shumë se me gojë. Ajo tregon se ndihet e lumtur që ka punuar në këtë film i cili po pritet mirë dhe ka marrë hovin e tij nëpër botë.
“Më ka pëlqyer skenari dhe e kam lexuar me shumë kujdes. Sidomos titulli “Ajo” më intrigoi shumë sepse nuk e dija kush ishte ajo. Ajo mund të isha unë ose edhe secila në këtë audiencë. E kam përcjellë suksesin e filmave të mëhershëm të Moresë dhe më pas më pëlqeu të isha pjesë në këtë film, i cili trajton një problematikë të shoqërisë kosovare, problematikë aktuale dhe shumë shqetësuese” tregon Agushi.

Gjatë diskutimit Agushi tregoi edhe për përvojën e saj në Oscars, kur ajo ishte pjesë e filmit “Shok” i cili u nominua në listën e ngushtë për Ceremoninë Oscars në vitin 2016-të.

Sot, me fillim prej orës 16:00, në Qendrën Informative dhe Kulturore të Bashkimit Evropian do të diskutohet mbi gruan kosovare dhe diplomacionë kulturore, me Nita Dedën, Vjosa Berishën, Arta Aganin, Zana Hoxha Krasniqin, Donika Rudin dhe Besa Luzhën. / KultPlus.com

Të ngjajshme