Aktori kosovar Alban Ukaj vazhdon rrugëtimin pas çmimit në festivalin “Cottbus”

14 Nëntor, 2019 - 10:41 pm

Ngjarja e filmit ndodh në një stacion policor gjatë një nate me hënë të plotë. Protagonisti i quajtur Hamza është një oficer policie, të cilit i duhet të punojë edhe në natën kur do të bëhet baba.

Me këtë rol, Alban Ukaj mori çmimin për aktorin më të mirë në një festival prestigjioz.

Audienca e festivalit ndërkombëtar të filmit “Cotbuss” e duartrokiti kur u ngjit në skenë për ta marrë trofeun e aktorit më të mirë. Për Ukajn, ky çmim është i veçantë.

Pas triumfit në festivalin gjerman, Ukaj, do ta vazhdojë rrugëtimin me role të reja në film dhe seriale. Ai flet për disa projekte që janë në prag të finalizimit.

Alban Ukaj, i cili jeton në Bosnjë, portretizon një prej roleve kryesore në filmin “Martesa” të Blerta Zeqirit, që shtjellon një trekëndësh dashurie ndërmjet dy burrave dhe një gruaje. Ai thotë se është gjithmonë i hapur të bashkëpunojë me regjisorë kosovarë.

Krahas filmit, Ukaj është mjaft aktiv edhe në skenën teatrore. Aktualisht, është duke punuar për shfaqjen e re, të cilën synon ta sjellë edhe në Kosovë.

Alban Ukaj, i cili për më shumë se 18 vjet po e zhvillon karrierën në Sarajevë, është pjesë e filmave të njohur si “J.A.C.E” dhe “Heshtja e Lornës”. /KultPlus.com

Të ngjajshme