Alban Ukaj në Festivalin e Filmit në Kanë: Pata fatin të punoj me njerëz të fuqishëm që ngrenë zërin për minoritetet

24 Maj, 2022 - 5:45 pm

Aktori kosovar Alban Ukaj tashmë ka parakaluar tapetin e kuq të festivalit prestigjioz në Kanë, ku ka pasur një ndër rolet kryesore në filmin “Tori dhe Lokita” me regji të Jean-Pierre & Luc Dardenne, film ky i cili u përfshi në programin konkurrues të këtij festivali, shkruan KultPlus.

Në tapetin e kuq të festivalit më të madh të filmit në botë sot aktori Ukaj ka dhënë një intervistë për mediat e pranishme atje.

I pyetur se si ka shkuar puna në set me regjisorët Jean-Pierre dhe Luc Dardenne, aktori Ukaj përgjigjet se puna me ta është një shkollë aktrimi më vete.

“Në xhirime ata janë si mësues, janë si miq të mirë dhe janë regjisorë të mëdhenj. Gjithashtu, ata janë nga intelektualët më të mëdhenj që kam takuar ndonjëherë në jetën time dhe me të vërtetë unë e bëra edhe një shkollë të re të aktrimit kur punova me ta”, thotë Ukaj.

Sipas tij, të dy regjisorët janë çdo herë ata kërkues.

“Ka një gjë që po mendoja këtë mëngjes dhe ajo është: ‘Kur punoni me këta dy regjisorë, nuk janë vërtet të rëndësishme pamjet nga afër, por e gjithë historia’. Pra, gjëja më e rëndësishme është të tregosh historinë sepse ti je pjesë e asaj historie”, thotë tutje Ukaj.

“Bëhu i sinqertë, aq sa të mundesh”, kjo është ajo që mësova nga Jean-Pierre dhe Luc Dardenne.

Ai po ashtu ka thënë se përgjegjësia e tij si artist është që ata të ngritin zërin e tyre rreth çështjeve sociale.

“Mendoj se përgjegjësia jonë si artistë është të jemi të zëshëm, të flasim për çështjet sociale dhe të flasim për çështjet politike që po ndodhin këto dy vitet e fundit, globalisht. Dhe unë pata fatin të punoj me njerëz që janë të fuqishëm dhe që ngrenë zërin për minoritetet”, tha ai.

Ndërkaq, krejt në fund i pyetur se si po ndihet në rikthimin e tij pas 13 vitesh në Festivalin e Kanës, ai shpalos se është një ndjenjë e veçantë për të.

“Është një ndjenjë e veçantë të jesh këtu pas 13 vitesh. Tani pas Covid-it dhe gjithçkaje, mund të marr frymë sërish pas dy vitesh. Ndihem i lirë dhe do të doja të kthehesha sërish. Sot dita filloi me stres, por tani jam shumë i qetë”, tha Ukaj.

Këtë vit festivali i famshëm i Kanës u hap zyrtarisht për herë të 75-të, me shumë yje dhe të ftuar.

Filmi në të cilin luan aktori Alban Ukaj, “Tori dhe Lokita” është një tregim në stilin e vëllezërve Dardenne, social dhe të angazhuar në shoqëri, për dy fëmijë, afrikanë, që kërkojnë letra në Belgjikë.

Kjo është hera e dytë që Albani shkon në Kanë me vëllezërit Dardenne. Ai mori pjesë për herë të parë në Festivalin e 61-të të Filmit në Kanë në vitin 2008 me filmin e tyre “Lorna’s Silence”. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme