Animacioni “Clara me mustaqe” po vazhdon aventurën e saj, do të shfaqet në Festivalin e njohur në Londër

16 Nëntor, 2021 - 1:56 pm

“Clara with a mustache” ose “Clara me mustaqe”, një film animacion i metrazhit të shkurtër me produksion kosovar, është përzgjedhur zyrtarisht për të shfaqur në njërin ndër festivalet më të mëdha të animacionit, të quajtur “London International Animation Festival”, shkruan KultPlus.

Vetëm gjatë muajit nëntor, animacioni i Blakçorit ka marrë pjesë në disa festivale të njohura ndërkombëtare, derisa udhëtimi i tij do të vazhdojë edhe në Londër.

Frymëzimi për këtë film të animuar me metrazh të shkurtër, erdhi nga vet përvoja e luftës së fundit në Kosovë.

Filmi prek temën shumë reale të luftës dhe pasojave të saj, por ndërtohet dhe shpaloset me një imagjinatë të një fëmije. Dhe animacioni është vegla e cila mundësoi që kjo imagjinatë të shpaloset në mënyrën më të duhur.

Produksioni është realizuar nga “Molos”, me regji dhe skenar nga Ilir Blakçori dhe mbikëqyrëse e animacionit Vala Blakçori; master e animacionit të karakterit në Animation Mentor Kaliforni, e cila solli një risi në formën e animacionit në Kosovë. Në anën tjetër, muzika e mirëfilltë që përcjell pamjet vizuale gjatë gjithë filmit është vepër e kompozitorit francez Romain Zante e cila u orkestrua nga “Budapest Art Orchestra” në përbërje të mbi 50 instrumentistëve./KultPlus.com

Të ngjajshme