“The Van” garon për çmim në “Manaki Brothers”

21 Shtator, 2019 - 4:00 pm

“The Van” i Erenik Beqirit, i cili në maj të këtij viti u bë filmi i parë shqiptar në garë për “Palmën e Artë” në Cannes, vazhdon rrugëtimin nëpër festivale.

Të enjten është shfaqur në kuadër të edicionit të 40-të të festivalit ndërkombëtar të kineastëve të filmit “Manaki Brothers”, në Manastir. Është në kategorinë e filmave të shkurtër që janë në garë për çmimin “Small Camera 300”.

Përveç “The Van”, në këtë festival janë shfaqur edhe dy filma të tjerë të regjisorëve shqiptarë: “Shpia e Agës” e regjisores Lendita Zeqiraj dhe “Derë e hapur” i regjisorit Florenc Papas. Filmat e tyre ishin pjesë e programit jogarues “European Cinema Prespective”. Festivali, i cili i shpërblen drejtorët e fotografisë, ka filluar më 14 shtator dhe do të përfundojë sot, kur ndahen edhe çmimet.

Darijan Pejovski, selektor i programit të filmave të shkurtër, ka thënë se në dhjetë filmat që janë pjesë e kësaj gare, përfshirë edhe filmin “The Van”, mund të shihen qartë shkathtësitë e drejtorëve të fotografisë.

“Në një kohë kur vazhdojmë të dëgjojmë se kinemaja evropiane është në krizë, nga qindra aplikime, ne kemi zgjedhur dhjetë filma, shumica prej të cilëve rastësisht ndodh që janë evropianë. Ky është një tregues që e ardhmja dhe potenciali qëndrojnë saktësisht te filmat e shkurtër, pavarësisht nëse ne po flasim për krijues me përvojë apo studentë”, ka thënë ai.

Erenik Beqiri nëpërmjet “The Van” (Furgoni) sjell Shqipërinë e viteve ’90, kur të gjithë ia mësyjnë të ikin. Filmi, në të cilin në role kryesore janë aktori francez Phénix Brossard dhe aktorët nga Kosova Arben Bajraktaraj e Afrim Muçaj, u dha premierë botërore në maj të këtij viti në Festivalin e Filmit në Cannes.

Beqiri ka thënë se përzgjedhja për “Manaki Brothers” është kënaqësi dhe një vlerësim për punën që drejtori i fotografisë, Guillaum le Grontec, bëri në xhirime. Ai dhe ekipi i filmit ishin të pranishëm në shfaqjen e filmit në Festival. Sipas tij, e rëndësishme gjatë prezantimeve të tilla është që filmi të arrijë të këtë ndikim emocional te shikuesit.

“Mundësia që festivalet të japin për të ekspozuar filmin te një grup i madh shikuesish, është një kënaqësi dhe privilegj, pasi që mendoj se filmi realizohet për t’u ndarë me audiencën”, ka thënë ai. E sa i përket pjesës së çmimeve, ai ka thënë se nëse fiton do të ishte një vlerësim edhe më i madh.

Në “Manaki Brothers” më 17 shtator u shpalos edhe jeta e pesë grave të cilat bartin me vete traumat e luftës së fundit në Kosovë, personazhe të filmit të gjatë debutues të regjisores nga Kosova, Lendita Zeqiraj, “Shpia e Agës”. Drejtor i fotografisë është Sofian el Fani, që mban meritat edhe për filmat si “Timbuktu”, “Blue Is the Warmest Colour”, “It Must Be Heaven” dhe “Black Venus”./koha.net/KultPlus.com

Të ngjajshme