Arben Bala, aktori shqiptar që u bë pjesë e gashtë serialeve ndërkombëtare brenda vitit

9 Nëntor, 2022 - 1:13 pm

Ishte seriali norvegjez “Countrymen”, prodhim i regjisori shqiptar Izer Aliu, i cili u cilësua si një nga 13 serialet më të mira ndërkombëtare gjatë vitit 2021, që aktorin shqiptar Arben Bala e solli me një ndër rolet kryesore në këtë serial.

Ky rol, Arbenin e solli në një frymë ndryshe nga ajo që jemi mësuar ta shohim dhe i dha aktorit edhe çmimin për aktorin më të mirë në Festivalin e Filmit në Kanë. Kjo si duket ishte dritarja e suksesit, pas të cilës fshiheshin edhe shumë të tjera që secila priste të jepte shkëlqimin e saj, shkruan KultPlus.

Bëhet fjalë edhe për pesë seriale të tjera që ishin rezervuar për aktorin shqiptar. Një angazhim i madh brenda vetëm një viti, por që aktorit Bala i dha një ndër eksperiencat më të bukura në jetë dhe sfidat u tejkaluan lehtësisht sepse dëshira e madhe për të qenë pjesë e këtyre serialeve u konsideruar një sfidë e bukur për të.

Aktori Arben Bala, i cili tashmë ka ndërtuar një karrierë të suksesshme në Norvegji, në një intervistë për KultPlus, ka rrëfyer më shumë për sukseset e tij e sidomos përgjatë këtij viti.

“Gjithçka nisi para një viti me serialin “Countrymen” dhe çmimin në Cannes. Ky serial më hapi dyert e suksesit më tej, ku më pas u angazhova në disa seriale norvegjeze. Pas “Countrymen”, u bëra pjesë e serialeve si: “Kjære landsmen”, “Crypto kings”, “Gangs og Oslo”, “Pörny” dhe “Nede”, ku angazhimi im në këto seriale më dha një eksperiencë të mahnitshme”, thotë Bala.

Nga gjithë këto projekte, Bala veçon serialin “Nede” i cili sipas tij po bën bujë të madhe në Viaplay dhe poashtu është nominuar në festivalin Cannes.

“Të jesh pjesë e gjithë këtyre projekteve brenda një viti, nuk është e lehtë, sepse është e qartë se unë si aktor i huaj më duhet të punoj edhe më shumë për të bindur norvegjezët sepse kjo është një industri mjaft e vështirë. Përparësitë e kësaj janë se sa më mirë që përfshihem në rol aq më të mëdha janë shanset për mua për t’u përfshirë në projekte të tjera”, thekson Bala.

Përderisa çmimet nuk kanë munguar si në Francë, Kanadë, Amerikë dhe shtetet skandinave, Bala thotë që në Kosovë nuk ka marr shumë vëmendje seriali dhe as ai personalisht si aktorë dhe këtë e arsyeton me faktin se seriali nuk është shfaq për publikun kosovar.

Sa i përket projektet në Kosovë, Bala thotë që ende nuk ka diçka zyrtare, por që ato ndërkombëtare nuk po i mungojnë. Tashmë ai ka nënshkruar edhe tri kontrata të reja për vitin e ardhshëm dhe që është në bisedime edhe për projekte të tjera. / KultPlus.com

Të ngjajshme