Audrey Diwan, fituesja e çmimit “Luani i Artë” në Festivalin e Filmit në Venecia

11 Shtator, 2021 - 10:00 pm

Filmi më i mirë u shpall vepra e regjisores franceze Audrey Diwan “L’évènement”, film ky i bazuar në romanin e vitit 2000 me të njëjtin emër nga autorja franceze Annie Ernaux, shkruan KultPlus.

Çmimi “Luani i Artë” në Festivalin e 78-të Ndërkombëtar të Filmit të Venecias iu dha regjisores franceze Audrey Diwan për filmin “L’évènement”, me skenar nga Diwan dhe Marcia Romano.

Filmi i Diwan për një student francez të kolegjit që e gjen veten me një shtatzëni të padëshiruar ishte zgjedhja unanime nga juria prestigjioze që përfshinte fituesit e fundit të Oskarit Bong Joon Ho dhe Chloé Zhao.

Konkursi këtë vit ishte mjaft i fortë, duke përfshirë filma të mirëpritur si “Fuqia e Qenit” e Jane Campion, “Nënat Paralele” të Pedro Almodóvar, “Vajza e Humbur” e Maggie Gyllenhaal dhe “Dora e Zotit”. Njëzet e një filma po konkurronin për çmimin, i cili është bërë një tregues i hershëm premtues i perspektivave të një filmi në Oscar.

“E bëra këtë film me zemërim. Unë gjithashtu e bëra filmin me dëshirë. E bëra me barkun, zorrët, zemrën, kokën, ” tha regjisorja Diwan .

“Unë doja që “L’évènement”, të ishte një përvojë.”

Diwan është gruaja e gjashtë që ka xhiruar një film fitues të ‘Luanit të Artë’. Të tjerët përfshijnë: Chloé Zhao (“Nomadland”), Margarethe Von Trotta (“Marianne & Juliane”), Agnès Varda (“Vagabond”), Mira Nair (“Dasma e Musoneve”) dhe Sofia Coppola (“Diku”).

Me shpalljen e veprës më të mirë dhe ndarjen e çmimeve, sot ka përfunduar Festivali i 78-të i filmit në Venecia të Italisë.

Jane Campion

“Luani i Argjendtë” në kategorinë e regjisorit më të mirë i takoi regjisores nga Zelanda e Re, Jane Campion për filmin “The power of the dog”.

Regjisori italian, Paolo Sorrentino mori “Çmimin e Jurisë” për filmin “E stata la mano di Dio” të bazuar në një tragjedi formuese personale, ndërsa “Çmimi Special i Jurisë” shkoi për regjisorin italian, Michelangelo Frammartino për filmin “Il Buco”.

Paolo Sorrentino

Në kategorinë për aktorin më të mirë mashkull, çmimi i takoi aktorit filipinas, John Arcilla për rolin në “On the job: The missing 8”, ndërkohë që çmimi për aktoren më të mirë femër iu dha aktores spanjolle, Penelope Cruz për performancën e saj si nënë e re në filmin “Nënat paralele” të regjisorit Pedro Almodovar. Ajo falënderoi regjisorin dhe bashkëpunëtorin e saj të shpeshtë.

Penelope Cruz

 “Më frymëzoni çdo ditë me kërkimin tuaj për të vërtetën”, ka thënë Cruz.

“Ju keni krijuar përsëri magji dhe unë nuk mund të jem më mirënjohëse ose krenare që jam pjesë e saj,” vazhdoi ajo. “Të adhuroj.”

Maggie Gyllenhaal

Maggie Gyllenhaal fitoi skenarin më të mirë për përshtatjen e romanit të autores Elena Ferrante të vitit 2008, të titulluar “Vajza e Humbur”, i cili është edhe skenari dhe filmi i saj i parë si regjisore.

“Nuk mund t’ju them se sa e emocionuar jam që jam këtu,” tha Gyllenhaal.

“Unë u martova në Itali, në Pulia. Mora vesh se isha shtatzënë me vajzën time të dytë në Itali. Dhe vërtet jeta ime si regjisore dhe shkrimtare dhe filmi im lindi këtu në këtë teatër. ”

Gyllenhaal tha se filmi i saj është “Italian në eshtrat e tij” edhe pse është xhiruar në Greqi dhe në gjuhën angleze.

“Në një mënyrë si gra ne kemi lindur në një marrëveshje për të heshtur dhe Ferrante e prishi atë marrëveshje,” tha Gyllenhaal. “Unë kisha të njëjtën ndjenjë kur pashë “The Piano” kur isha në shkollë të mesme.”

Ceremonia e ndarjes së çmimeve përfundon festivalin e parë të madh të filmit të sezonit të vjeshtës, i cili deri më tani është shfaqur si një sukses i jashtëzakonshëm, pavarësisht variantit delta. Protokollet e sigurisë COVID ishin të rrepta.

Por Venecia gjithashtu riktheu me sukses magjepsjen në një qilim të kuq që mund të ketë qenë më pak i mbushur me njerëz se zakonisht, por i kompensuar në momentet virale.

Festivali i Filmit në Venecia, është një festival filmi ndërkombëtar dhe njëherësh më i vjetri në botë. Festivali i parë u mbajt në vitin 1932 në kuadër të Bienales së Venecias.

Që nga viti 1934, mbahet çdo vit në fund të gushtit dhe në fillim të shtatorit në vendin historik Palazzo del Cinema në Lungomare Marconi, në ishullin Lido të Venecias. Festivali nuk është mbajtur midis viteve 1943 dhe 1945, pastaj në vitin 1973 dhe në vitet 1977-1978./ KultPlus.com

Të ngjajshme