“Bini” i Erblin Nushit shpërblehet në Worldfest Houston 2019

14 Prill, 2019 - 7:35 pm

Filmi “Bini” fitoi çmimin Gold Remi për filmin më të mirë historik në Festivalin Ndërkombëtar të Pavarur të Filmit – Worldfest Houston 2019, shkruan KultPlus.

“Bini” bazohet në ngjarje të vërtetë. Erblin Nushi ka qenë 6-vjeçar kur shpërtheu lufta në Kosovë. Filmin “Bini” e ka realizuar si punim diplome. Ai ka kryer studimet bazike për film “George Mason University” në Fairfax të Virginias në ShBA, ku është zhvendosur bashkë me familjen më 2010.

“Shumë i lumtur me të gjitha çmimet e pranuara deri më tani. Gjithë falënderimet shkojnë për ata që më mbështetën mua dhe filmin. Duke filluar nga ekipi im dhe çdo njeri që është përfshirë në këtë proces. Ju faleminderit”, është shprehur Nushi me rastin e pranimit të këtij çmimi.

Në filmin “Bini”, pos Lurni Krasniqit, në rolin e kryepersonazhit luajnë edhe Artiola Hamdija, Fjolla Nushi, Eshref Durmishi, Armond Morina, Florentina Ademi dhe Elena Shoshi. Xhirimet e këtij filmi ishin bërë në Pejë.

WorldFest është një nga festivalet më të vjetër dhe me të mëdhenj të filmit dhe të videove në botë me më shumë se 4 mijë e 500 aplikacione të pranuara nga 37 vende.

Erblin Nushi ju bashkohet fituesve të festivalit që zbuloi regjisorët si Steven Spielberg, George Lucas, Ang Lee, Brothers Coen, Spike Lee, Oliver Stone dhe shumë e shumë të tjerë të cilët në këtë festival pranuan edhe çmimet e tyre të para./ KultPlus.com

Të ngjajshme