Blerta Basholli për mediumin zviceran: Përfundova studimet me bursë në Amerikë, nuk isha prej atyre fëmijëve të pasur

18 Janar, 2022 - 1:51 pm

Regjisorja e filmit më të suksesshëm në histori të kinematografisë së Kosovës, Blerta Basholli, ka zhvilluar një intervistë me gazetaren Tanya Konig për revistën Swizz Art Biz, përcjell KultPlus.

“Publiku reagoi për ndershmërinë e filmit”

Ishin fjalët e para të Bashollit në këtë intervistë, duke treguar se nuk ishte e fokusuar për të treguar luftën e Kosovës, por më shumë në ngjarjen se një grua ka zhvilluar biznes nga asgjëja.

“Gjithkush prej nesh është ndjerë i vogël në ndonjë moment, qoftë ajo kohë si një i ri apo për shkak të nacionalitetit tuaj, ngjyrës së trupit ose orientimit seksual. Shpresa ime ishte që publiku të mund të simpatizonte Fahrije Hotin”, ka thënë Basholli.

Regjisorja e filmit që shkroi histori në Festivalin e Filmit “Sundance”, duke fituar tre çmimet kryesore, vazhdon tutje duke treguar aventura e filmit “Zgjoi” në Zvicër.

“Në Cyrih kishte shumë publik shqiptarë. Disa nuk ishin të kënaqur me mënyrën se si portretizoheshin disa burra. Gjithsesi më falënderuan dhe thanë se ndonjëherë e vërteta dhemb, por duhet thënë. Filmi filloi shumë mirë në Kosovë dhe aktualisht është filmi më i shikuar”.

Foto : Astrit Ibrahimi

“Filmin erdhën tshihnin dy kosovarë të cilët prej 35 vitesh jetojnë në Zvicër dhe nuk kanë qenë kurrë më parë në kinema”

E pyetur se pse është kaq e rëndësishme përfaqësimi në një vend të huaj, 39 vjeçarja thotë se kur jeni në një vend të huaj, ndiheni të vogël. “Kjo është arsyeja pse njerëzit duan që të publikohen gjëra të mira për origjinën e tyre, njerëz të shumtë u çuditen me faktin që një film nga Kosova po shfaqet në Zvicër. Në audiencë ishin edhe dy kosovarë të cilët prej 35 vitesh jetojnë në Zvicër dhe nuk kanë qenë kurrë më parë në kinema. Ata më falënderuan për portretizimin e një gruaje me të cilën mund të identifikoheshin. Për mua ishte një përmbushje, sepse ky audiencë nuk është e lehtë për t’u arritur”.

Fahrije Hoti është një grua me shumë pak mbështetje në film, por megjithatë edhe burrat e kanë ndihmuar atë që të arrij sukses në zhvillimin e një biznesi. Gazetarja tutje shtroi pyetjen nëse nga filmi dëshironte të përcjellte mesazhin “gratë e mira – burra të këqij”, por Basholli thotë se ne nuk duhet të shohim vetëm njerëzit e këqij. Në film shohim edhe personazhe pozitivë meshkuj, si pronari i supermarketit që ndihmon Fahrijen. As vjehrri nuk është personazh negativ. Ai përpiqet të jetë sa më mbështetës që mundet. Ai është i kapur edhe pas traditës, por në të njëjtën kohë ka dëshirë ta ndihmojë atë. Situata nuk është e lehtë as për të, edhe ai ka humbur djalin. Natyrisht, nuk munguan as ata që e ofenduan Fahrijen në publik dhe e gjuanin me gurë. Kur filmi u shfaq në qytetin fqinj, disa u ndjenë të ofenduar. Por në përgjithësi, publiku e vlerësoi filmin sepse tregon emancipimin dhe qëndrueshmërinë e Fahrijes.

Sa i përket rolit të Fahrijes pas zhdukes së bashkëshortit të saj në shoqëri, nuk ishte i “vdekur”. Njerëzit presin që një e ve të mbyllet në shtëpi, të mos veshë grim ose rroba me ngjyra të ndezura dhe të vajtojë humbjen e burrit të saj. Sapo dikush nuk e bën këtë, personi blasfemohet. Fahrijes i thanë të mos punonte si e ve. Por kjo nuk ishte një opsion për të. Ajo gjithmonë donte të punonte, edhe kur burri i saj ishte ende gjallë. Nëse ai do të ishte gjallë, ata ndoshta do ta kishin ndërtuar biznesin së bashku. Dhe megjithëse nuk studioi kurrë, ajo nuk mund të identifikohej si shtëpiake. Pas luftës, ajo gjithashtu duhej të merrte më shumë përgjegjësi dhe të luante rolin e gruas dhe burrit në shtëpi në të njëjtën kohë. Këtë e bëri edhe për hir të fëmijëve të saj, përndryshe do të ishte çmendur dhe kjo nuk do t’i ndihmonte askujt. Natyrisht që dhimbja e humbjes është ende aty, edhe pas më shumë se 20 vitesh Fahrije Hoti pret kthimin e bashkëshortit.

“Gjatë shkrimit të skenarit, unë dhe Yllka Gashi u bëmë nëna”

Gjatë shkrimit të skenarit, Blerta Basholli dhe Yllka Gashi, protagonistja e filmit, u bënë nëna. “Ne u përpoqëm të kuptonim se si ndiheshe që duhet të rrisësh fëmijët e tu vetëm gjatë luftës. Është e vështirë të rritësh fëmijë në një shoqëri kur burri zhduket në të njëjtën kohë. Ne ndamë edhe përvojat tona të luftës, duke u munduar të empatizojmë Fahrijen”.

Basholli përmend edhe faktin se është rritur në një shoqëri patriarkale dhe kjo gjë shpesh herë e ka penguar atë në punën e saj, megjithatë në fund ia ka dalur që të arrijë majat e botës.

“Në një moment thjesht lodhesh dhe kupton se ndonjëherë duhet të bësh më shumë se një grua. Një shembull është në familje: nuk u diskriminova nga familja ime, por duke u rritur dëgjova gjëra të tilla si “a mund ta pastrosh këtë sepse si grua duhet të jesh në gjendje”. Gjithashtu qëndrimi se gratë duhet të jenë gjithmonë të rregullta dhe të afta të gatuajnë. Në një moment e kupton se nuk mund t’i bësh të gjitha. Ndryshova ngadalë gjërat në jetën time”, thotë ajo.

“Viti 2021, ishte një vit për kineastet, shënuam suksese ndërkombëtare”

Katër vitet e fundit e kanë parë Kosovën duke paraqitur filma për Oscar përmes tre regjisorëve kosovarë, e madje “Zgjoi” duke shkruar edhe histori. “Këta filma tani kanë qenë të suksesshëm sepse janë filma të mirë. Një juri ndërkombëtare i përzgjodhi këto nga hyrjet më të mira. Viti 2021 ishte i veçantë: Katër filma nga regjisore gra kosovare u shfaqën në festivale ndërkombëtare, përfshirë në Roterdam dhe Kanë, dhe filmi i Kaltrina Krasniq, Vera Dreams of the Sea, fitoi Çmimin e Madh në Tokio. Filmi im fitoi në Sundance dhe në shumë festivale të tjera. Ishte një vit për kineastet”.

E pyetur në qoftë se zgjedhja e Fahrijes ishte e qëllimshme, ajo rrëfeu edhe historinë e njohjes dhe gjithçka tjetër.

“Zgjedhja e një gruaje si personazhi kryesor nuk ishte një vendim i vetëdijshëm. Ne e takuam Fahrijen 10 vjet më parë, atëherë askush nuk e pyeste veten nëse gratë përfaqësoheshin mjaftueshëm – madje as në Hollywood. Thjesht doja ta shfaqja karakterin e saj të fortë në ekranin e madh dhe e zgjodha për shkak të historisë së saj. Ndoshta publiku tani ka reaguar, sepse gratë në fakt nuk janë të përfaqësuara sa duhet në mbarë botën. Jo vetëm Kosova është shoqëri patriarkale. Në vende si Zvicra, SHBA apo vende të tjera demokratike dhe të zhvilluara, ka gjithashtu shumë punë për t’u bërë kur bëhet fjalë për të drejtat e grave”.

Diaspora dhe remitancat e saj të dërguara ndër vite, kanë ndihmuar shumë familje që realisht ta mbajnë vetën gjallë nga ato para.

“Dikush mendon se diaspora fiton para lehtë dhe mirë. Kur isha refugjat në Gjermani gjatë luftës, takova dajën dhe kushërinjtë e mi dhe kuptova se sa e vështirë ishte për ta të fitonin para të mjaftueshme në një vend të huaj. Aty kuptova se ata nuk janë thjesht njerëz të pasur, por punojnë shumë për këto para për të mbajtur familjet e tyre të mëdha dhe për të dërguar para në Kosovë. Prindërit dhe vëllai im gjithashtu punuan shumë. Ne kemi ndihmuar njëri-tjetrin në kohë të vështira”.

Foto: Alex Boom

“Unë nuk isha një nga fëmijët e pasur që shkoi në shkollë”

Blerta Basholli ka përfunduar studimet në Amerikë, konkretisht në qytetin e New Yorkut, por nuk ishte aspak një nga fëmijët e pasur aty.

“Kam marrë një bursë nga dekani për tarifat e shkollimit. Unë jetoja me të dashurin tim që tani është burri im. Ai punonte në SHBA, gjë që na e bëri jetën pak më të lehtë. Më lejuan të punoja vetëm 20 orë në javë. Punoja në bibliotekën e shkollës dhe për një fotograf shqiptar që punësoi bashkëshortin tim”.

E pyetur për projektin e radhës, ajo tregon se ka të bëjë me një histori të moshës së rritur të bazuar në përvojën e saj si e re në Kosovën e pushtuar.

“Jam në fazën e shkrimit dhe tashmë kemi siguruar fonde nga Zvicra për zhvillimin e skenarit. Në Kosovë praktikisht nuk keni financim në këtë fazë. Ishim vërtet me fat dhe është hera e parë që paguhem për të shkruar”, rrëfen ajo.

‘Zgjoi’ tregon historinë e vërtetë të Fahrije Hotit, një e ve nga fshati Krushë e Madhe, e cila bëhet një sipërmarrëse pasi burri i saj u zhduk gjatë luftës së Kosovës në vitet 1990. Ajo bashkon forcat me të vejat e tjera në fshat dhe prodhon specialitetin ballkanik paprika, ajvar, të cilën gratë e shesin në një supermarket. Ajo që tingëllon e thjeshtë kërkon guxim dhe shumë bindje. Gratë përjetojnë rezistencë të madhe nga burrat në fshat dhe gratë gjithashtu duhet të binden se nuk vajtojnë vetëm burrat e tyre në shtëpi.

‘Zgjoi’ është filmi i parë artistik i shqiptarit kosovar Blerta Basholli dhe ka fituar disa çmime. Tani është një nga 15 filmat në garë për një nominim për Oscar. /KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme