‘Bota jonë’ premierë në Prishtinë, Bajrami: Kënaqësi shumë e madhe ta prezantoj filmin para audiencës që flet shqip

14 Tetor, 2023 - 1:29 pm

Flonja Haxhaj

Kosova e vitit 2007, vështirësitë e sfidat shoqërore, në një vend që kërkon pavarësi e ringritje pas luftës, u risjellën sërish në Prishtinë nëpërmjet premierës së filmit ‘Bota jonë’ të regjisores Luana Bajrami, film ky i cili edhe hapi Javën e Filmit Frankofon në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Pas debutimit në Festivalin e Filmit në Venedik, ‘Bota jonë’ erdhi edhe në Prishtinë para publikut që flet shqip dhe që e bashkëndjeu çdo sekuencë të këtij reflektimi real të një periudhe të paharruar të një rinie të harruar. 

‘Bota jonë’ ka në fokus Zoen (Elsa Mala) dhe Voltan (Albina Krasniqi), dy kushërira, të cilat vendosin ta braktisin fshatin dhe familjen për të studuar në Prishtinë, por më shumë se kaq ato kërkojnë ta gjejnë veten dhe vendin të cilit i takojnë. Me njëra – tjetrën në krah, entuziaste e me ëndrra plot, ato marrin rrugën drejt Prishtinës.  Megjithatë, ikja nga fshati e fillimet në Prishtinë për Zoen dhe Voltan nuk ishin edhe aq të lehta. Ky rrugëtim sa ambicioz, ishte edhe i vështirë e i shoqëruar me kriza e probleme të shumta shoqërore e ekonomike.

Më shumë se vetëm jetën e dy vajzave të revoltuara nga idetë e prapambetura, filmi pasqyron një realitet të dhimbshëm, që pothuajse çdo i ri e adoleshent u përball në Kosovën e pasluftës, shumë prej të cilëve ëndrrat u mbetën në sirtar.

Se ky film ngjalli emocione e rikthim në kohë tek publiku, u vërejt edhe pas përfundimit të tij, teksa u përcoll me duartrokitje disa-minutëshe.

Pas një prezantimi të suksesshëm në Kosovë, regjisora Luana Bajrami tha për KultPlus se mbi të gjitha, për të, ndjenja më e veçantë është kur prezanton filmat e saj para audiencës në Prishtinë, e po kaq e rëndësishme ishte edhe kjo premierë.

“Për mua është gjithmonë ndjenjë e veçantë dhe e pres gjithmonë me dëshirë të madhe prezantimin në Kosovë dhe kam shumë dëshirë të intervenoj shumë më herët në procesin e filmit, kur shfaqet para publikut në Kosovë sepse ngjarja zhvillohet këtu, flet shqip dhe për problematikat e vendit, edhe pse gjithmonë e rikujtoj edhe aspektin universal”, tha Bajrami, duke shtuar mes tjerash se ndjeu emocionin në sallë dhe se ky film e kapi audiencën, e kjo shtoi edhe më shumë emocionet tek regjisorja.

Ajo foli edhe për filmit, ku u shpreh se ka dëshirë të vazhdojë të shfaqë filma që pasqyrojnë jetën dhe vështirësitë e rinisë dhe adoleshentëve kosovarë nëpër periudha të ndryshme.

Bajrami po ashtu foli edhe për kastin e aktorëve, të cilët ajo i vlerësoi lart për potencialin dhe profesionalizmin.

“Kur e kam bërë ekipin e aktorëve për filmin ‘Luaneshat e Kodrës’ kam menduar që i kam takuar krejt aktorët e rinj të Kosovës, në fakt kam qenë shumë gabim sepse kur e bëra ekipin e aktorëve për filmin e ‘Bota jonë’ kam takuar shumë aktorë të rinj, e kam parë potencialin e tyre dhe kam krijuar një lidhje shumë të veçantë me ta”, tha Bajrami për KultPlus.

Pas premierës së filmit, aktorja Elsa Mala, e cila edhe e portretizon rolin e Zoet, u shpreh shumë e lumtur për premierën dhe për prezencën në këtë film.

“Unë kam pasë fatin më të mirë në botë të punoj me këta aktorë të mrekullueshëm, secili më profesionist se tjetri dhe për një muaj xhirime, çdo ditë për mua ka qenë si një punëtori. Ndërkaq, për regjisoren, mund të them që Luana është ‘shtet ne vete’ është botë në vete dhe dita-ditës po e vërej çfarë mendje e kreativiteti ka dhe jam shumë e lumtur që kam pasë mundësinë të jem pjesë e këtij universi dhe kreativiteti të saj”, tha Mala për KultPlus.

Po kaq e lumtur për pjesëmarrjen në këtë film u shpreh edhe Albina Krasniqi, e cila në film paraqitet me rolin e Voltas. Krasniqi shprehet për KultPlus se si aktore e re ky është një fillim shumë i mbarë për të.

“Ka qenë hera e parë qe kam marrë pjesë në një festival të nivelit si “Venice Film Festival”.  Ishte një ndër eksperiencat më të veçanta qe kam pasë deri sot, për faktin qe une, po edhe i gjithë ekipi kemi pasur mundesinë të promovojmë jo vetëm veten por edhe nje histori shume të ndjeshme te vendit ku jemi lindur e po jetojme”, tha Krasniqi

“Jam shumë e emocionuar për prezantimin e filmit edhe në Festivalin e Filmit frankofon në Kosovë sepse këtu kam lindur e po jetoj, këtu e kam gati gjithë shoqerinë, familjen, kolegët qe më njohin që nga fillimi dhe është ndjenjë e veçantë kur në fund diskuton me njerëz qe ju beson dhe kritikat e tyre kan vlerë të madhe për ty”, tha ndër të tjerash Krasniqi, duke shtuar në fund se ndjehet krenare që ka pasur mundësinë të sjellë në jetë storjen e një vajze të talentuar siç është regjisorja Luana Bajrami.

Ndërkaq, edicioni i sivjetmë i Javës së Filmit Frankofon do të vazhdojë deri më 18 tetor. Ky edicion i festivalit fokusohet në portretizimin e grave në kinema, ato prapa kamerave dhe atyre para saj./KultPlus.com

Të ngjajshme