Brad Pitt: Jam në fund të karrierës

24 Qershor, 2022 - 11:30 pm

Tani për tani, e vetmja gjë që Brad Pitt i ka thënë vërtet lamtumirë është cigarja (“Unë jam në një moshë që nuk më bëjnë mirë”), por shumë shpejt ai mund të ndërpresë edhe aktrimin, pasi mendon se ka ardhur koha për ta bërë këtë, sipas corriere.it.

“Mendoj se kam arritur në fazën e fundit të karrierës sime”, tha aktori 58-vjeçar në një intervistë për GQ.

Pitt nuk e di ende se cilën rrugë do të ndjekë për t’i dhënë fund një karriere tridhjetëvjeçare, plot kënaqësi dhe çmime, por ajo që është e sigurt është se ai po e mendon këtë.

“Mendoj se kam kaluar vite në depresion dhe kur arrita të pajtohem me këtë, duke u përpjekur të përqafoj të gjitha anët e vetes, të mirat dhe të këqijat, arrita t’i kap këto momente gëzimi. Tani ndihem i lumtur”, tha Pitt.

Dhe pikërisht në emër të kësaj lumturie të re, Pitt po mendon të mbyllë karrierën e tij hollivudiane për t’iu përkushtuar gjërave të tjera që i pëlqejnë, si skulpturat (gjatë pandemisë ai mësoi të bënte punime me qeramikë), dhe mobiljet (në shkollën e mesme ai ndoqi kurse në një punëtori zdrukthtarie).

“Unë jam një nga ato krijesa që flas përmes artit. Gjithçka që dua është të krijoj. Kur nuk e bëj, ndihem sikur po vdes”, tha aktori.

Megjithatë, duke gjykuar nga numri i projekteve në të cilat ai po punon dhe është përfshirë si në filmat; “Bullet Train” që do të publikohet më 25 gusht, “Babylon” në dhjetor; dhe përmes kompanisë së tij të produksionit “Plan B Entertainment” (këtë vit do të publokohet “Women Who Talk”, një adaptim i romanit të Miriam Toews dhe “Blonde”; filmi i shumëpritur i Netflix për Marilyn Monroe, ndarja nga kinemaja nuk duket dhe aq e afërt./atsh/ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme