займ на карту кредит банк

“Carlotta’s Face” triumfon në “Anibar”

Gusht 20, 2018 - 10:00 am

Filmi i animuar, i cili eksploron një lloj të dëmtimit të trurit, që pamundëson njohjen e fytyrave njerëzore, triumfoi në edicionin e nëntë të “Anibarit”.

“Carlotta’s Face” i Valentin Riedl dhe Frederic Schuld nga Gjermania në vetëm pesë minuta sjell rrëfimin e një vajze me emrin Carlotta, e cila mendon se njerëzit përreth saj nuk kanë fytyra.

Ajo madje nuk e njeh as fytyrën e vet. Por vite më vonë bëhet e vetëdijshme për këtë defekt të rrallë e të pashërueshëm në trurin e saj. Përmes artit ajo arrin ta njohë veten në një formë tjetër, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Carlotta’s Face” është fitues i garës ndërkombëtare në edicionin i cili përmes temës “50/50” këtë vit mëtoi të iniciojë diskutimin mbi barazinë gjinore, njëkohësisht duke u dhënë edhe hapësirë prezantimit dhe inkurajimit të vajzave dhe grave në botën e animacionit.

“Një film që prezanton një mesazh poetik, të fuqishëm dhe universal rreth mosgjykimit të njerëzve për dallimet e tyre. Filmi ka zë të fuqishëm personal me një stil minimal që rrit ndjenjën e tjetërsimit të protagonistes, duke inkurajuar mirëkuptim për ata rreth saj”, shkruhet në vlerësimin që i ka bërë juria këtij filmi fitues, e përbërë nga Anita Killi, Holger Lang, Kendra Haaland, Lana Tankosa Nikoliq dhe Joanna Rytel. E njëjta juri në këtë kategori ka ndarë edhe mirënjohjen e veçantë për filmin “Intimity”, të Elodie Dermange nga Zvicra.

Në njëfarë forme, në kërkim të vetes, është edhe personazhi i filmit fitues të garës ballkanike.

“Untravel” i Ana Nedelkoviqit dhe Nikola Majdak Jr nga Serbia sjell rrëfimin e një vajze e cila jeton në një shtet gri, të izoluar e të rrethuar nga një mur i madh. Ajo kurrë nuk ka udhëtuar më parë, por gjithë jetën e saj ëndërron të ikë përgjithmonë në një vend të quajtur “Jashtë vendit”.

Krahas “Untravel” në këtë garë juria ka ndarë edhe çmimin special, të cilin e ka marrë “The Monk”, nën regji të Zharko Ivanov nga Maqedonia.

Të dielën mbrëma në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, e mbajtur në kinemanë “Jusuf Gërvalla”, u nda edhe çmimi për filmin më të mirë në kategorinë e filmave të metrazhit të gjatë, që në edicionin e sivjetmë janë përfshirë për herë të parë. Juria ia ndau çmimin filmit “Chris the Swiss” nën regji të Anja Komfel, i cili sjell rrëfimin vërtet të saj. Ngjarja zë vend në Kroacinë e vitit 1992, ku në mes të luftës trupi i një gazetari të ri u gjet i veshur me uniformën e grupit të mercenarëve ndërkombëtarë. 19 vjet më vonë, Kamfel gjen historinë e tij, të cilën e shtjellon në filmin e saj.

Një tjetër çmim i rëndësishëm i festivalit është ai i publikut, i cili këtë vit iu nda filmit “Irony” nën regji të Radheya Jegathevas. Ndërsa në kategorinë e studentëve juria e përbërë nga Donart Selimi, Filiz Telaku, Lorik Berisha, Yll Bylukbashi dhe Kaltrina Berisha ia ndau çmimin kryesor filmit “Flower Found” nën regji të Jorn Leeuwerink. Ndërsa dy mirënjohjet speciale iu ndanë filmave “Finkel” të Sanni Lahtinen dhe “Engine of Progress” të Sasha Svriskyt.

Prej datës 13 deri më 19 të muajit gusht, aq sa zgjati ky festival, “Anibari” pos animacioneve solli edhe aktivitete të ndryshme që u lidhën me temën e sivjetme të kësaj ngjarjeje./ KultPlus.com

Të ngjajshme