“Disney” dhe “Universal Pictures” pezullojnë lansimin e të dhënave në arkat filmike

20 Mars, 2020 - 2:00 pm

Studiot filmike “Walt Disney” dhe “Universal Pictures”, kanë bërë të ditur të enjten se po i suspendojnë lansimet e të dhënave për arkat filmike, për shkak të mbylljes së kinemave në shumë vende të botës, me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit.

Ky vendim vjen pasi arkat filmike të Amerikës Veriore e shënuan fundjavën më të keqe në dy dekadat e fundit, duke arkëtuar shuma të vogla të parave, transmeton Koha.

“Për shkak të mbylljes së një numri të madh të kinemave, studioja ‘Disney’, përkohësisht do t’i suspendojë raportimet globale të arkëtimeve javore. Juve dhe familjeve tuaja iu urojmë gjithë të mirat dhe ju lutemi kujdesuni për veten,” thuhej në deklaratën për media të lëshuar nga “Disney”.

Edhe “Universal Pictures” e ka lëshuar një deklaratë të ngjashme.

Studiot filmike zakonisht lansojnë informata rreth shumës së të hollave që projektet e tyre i arkëtojnë në arkat filmike, çdo javë, gjë që e matë popullaritetin e filmave të tyre për publikun.

Kinema të shumta në Kinë, që është tregu më i madh i arkëtimit të të hollave për industrinë e Hollywoodit, kanë javë të tëra që po qëndrojnë të mbyllura për shkak të koronavirusit.

Javën e kaluar, shitja e biletave nëpër kinematë e Amerikës Veriore ka arritur ta arkëtojë shumën më të vogël në 20 vjetët e fundit, duke i mbledhur vetëm 55 milionë dollarë nga e premtja deri të dielën. /KultPlus.com

Të ngjajshme