DokuFest sjell risi për Pavarësi, për herë të parë do t’i shfaqin tre filma në ‘Livestream’

15 Shkurt, 2022 - 12:25 pm

Me rastin e Pavarësisë së Kosovës, DokuFest ka kuruar një program special me tre filma të shquar për të shënuar këtë ditë të rëndësishme.

“Filmat ngritin temën e identitetit dhe shtrojnë pyetje rreth sovranitetit e përkatësisë. Të tre filmat do ti ofrohen publikut falas, të enjten me 17 shkurt 2022, në platformën Livestream në dokufest.com në ora 16:00 dhe 22:00″, thuhet në njoftimin e DokuFest.

Kjo do të jetë hera e parë kur ata do të bëjnë për herë të parë testimin e opsionit të transmetimit të filmave “LIVE” në faqën e tyre.

“Jemi të lumtur që këtë e fillojmë në këtë ditë madhështore, për të shënuar ditën e Pavarësisë me tre filma mahnitës që sjellin rrëfime nga periudha të ndryshme kohore, e që lidhen me historinë e shtet formimit të Kosovës”.

Transmetimi do të nis me filmin e parë I KUJT ËSHTË FLAMURI nga Baris Karamuço i cili trajton çështjen e identitetit kombëtar për kosovarët, të cilët kanë opinione të ndryshme për flamurin e tyre me ngjyrë të kaltër, bardhë dhe e artë. Përshkrues, filmi tregon në mënyrë brilante çështjen duke përdorur sekuenca të një çerdheje, ku edukatorja ua mëson flamurin fëmijëve.

Programi do të vazhdojë me filmin SANS LE KOSOVO nga Dea Gjinovci, me një portretizim në jetën e Asllan Gjinovcit, i cili pas përfshirjes në protestat studentore që kërkonin autonominë e Kosovës në Jugosllavi, detyrohet të largohet nga vendi për tu vendosur përfundimisht në Zvicër. Duke kërkuar të eksplorojë ndikimin e këtij mërgimi në jetën e tij dhe në të njëjtën kohë edhe në të sajën, regjisorja dhe babai i saj marrin rrugën për të ripërshkruar mërgimin e tij si një refugjat 19-vjeçar nga Kosova në vitin 1968.

Programi i Pavarësisë do të mbyll transmetimin me filmin THE AGREEMENT nga Karen Stokkendal Poulsen. Historia botërore është duke u bërë kur kryenegociatori i BE-së Robert Cooper duhet të zgjidhë një marrëveshje për bashkëjetesë të qëndrueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Dokumentari danez e sjell audiencën drejt e në thelbin e këtyre negociatave intensive. Bastet janë të larta, por pavarësisht seriozitetit të negociatave, ato rezultojnë të jenë çuditërisht qesharake dhe të realizuara me stil e sharm nga tre personazhet në tavolinë. Është konflikti i fundit territorial i Evropës dhe vendimtar që BE-ja të provojë aftësinë për të bërë paqe në oborrin e saj. Sa larg janë të gatshëm të shkojnë secila palë?

DokuFest falenderon regjisoret Dea Gjinovci dhe Karen Stokkendal Poulsen, si dhe producenten Vibeke Vogel nga Bullitt Film që na dhanë filmat dhe mundësuan transmetimin e tyre në programin tonë të Pavarësisë.

Të drejtat e filmave të tjerë janë siguruar me përkrahjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ambasadës Suedeze, National Endowment for Democracy dhe përmes bashkëpunimit me organizatën daneze ‘Why Foundation’. /KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme