DokuFest sjell rrëfimet dhe zërat e rinj të Kosovës në skenën kinematografike ndërkombëtare

20 Mars, 2023 - 3:32 pm



Muajin e kaluar, nëpërmjet projekteve bashkëpunuese të DokuFest-it, Kosova ishte pikë interesi jo vetëm në një, por në dy festivale të njohura të filmit. Së pari në Zvicër, në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit FIFDH, një nga eventet më të rëndësishme kushtuar kinemasë dhe të drejtave të njeriut, dhe së fundmi në Kanada, në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të Shkurtër REGARD – Saguenay me një program special të kuruar nga Samir Karahoda që titullohet ‘DokuFest: Zërat e rinj të Kosovës’.

Në FIFDH, gjashtë filma të realizuar në Prizren nga akademitë prestigjioze të filmit nga Zvicra, përmes
një kampusi filmik të organizuar nga DokuFest, dhe monitoruar nga filmbërësja Kaltrina Krasniqi dhe
producenti Eroll Bilibani, u shfaqën në një shfaqje speciale të quajtur “Kosova në fokus”(‘Kosova in the
Spotlight’). Filmat u përshkruan si një “zhytje artistike dhe humane në realitetin e një vendi të ri dhe
dinamik”.

Në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të Shkurtër REGARD – Saguenay, audienca do ta ketë mundësinë të
shohë gjashtë filma të shkurtër të realizuar nga filmbërësit kosovarë, përmes programit të kuruar nga
regjisori dhe programuesi i DokuFest, Samir Karahoda. Gjashtë filmat janë pjesë e një programi special
tematik të festivalit, të titulluar “DokuFest: Zërat e rinj të Kosovës”.

Programi përbëhet nga dy filma të shkurtër të cilët janë realizuar përmes shkollës së filmit të DokuFest
‘Future is Here’ qëllimi i së cilës është të fuqizojë të rinjtë, dhe katër filma nga regjisorë kosovarë të cilët
kanë marrë vëmendje si rajonale ashtu dhe ndërkombëtare për mjeshtërinë e tyre – shih listën më
poshtë:
Prishtinë, 2002 (2022), regji nga Trëndelinë Halili
‘Time’ (2021), me regji të Endri Malokut
Four Pills at Night (2021), me regji nga Leart Rama
Gardhi (2018), me regji të Lendita Zeqiraj
“Prison Romance” (2022), me regji nga Denisa Minci
Pa Vend (2021), me regji nga Samir Karahoda.

Samir Karahoda, i cili po ashtu është juri në këtë edicion të REGARD është shprehur: “Si çdo gjë
tjetër, edhe kinematografia e Kosovës filloi epokën e saj nga fillimi i pas luftës. Për gati 20 vjet rresht,
xhirimet në Kosovë në atë kohë konsideroheshin krim nga regjimi, prandaj me lirinë e vitit 1999,
shumë histori të patreguara dhe të mbledhura filluan të ekspozohen për publikun përmes filmave.
Viteve të fundit kinematografia kosovare ka bërë një revolucion në industrinë botërore të filmit, ku
filmat e prodhuar veçanërisht nga gjenerata e re e kineastëve u përzgjodhën dhe triumfuan në
festivalet më të mira botërore. Pavarësisht kushteve modeste, autorët dëshmuan se kanë talentin për të
treguar historitë tona unike në një formë dhe stil të veçantë. Vetë programi përmban gjeneratën e re
apo të ashtuquajturit kineastët kosovarë të Valës së Re, filma që trajtojnë tema jashtëzakonisht të
rëndësishme për shoqërinë tonë dhe në të njëjtën kohë është pasqyrë e së vërtetës në vendin tonë”. / KultPlus.com

Të ngjajshme