Filmi i regjisorit shqiptar, premierë botërore në Locarno të Zvicrës

28 Korrik, 2021 - 12:52 pm

Leart Rama është regjisori shqiptar, i cili ka realizuar filmin “4 Pills at Night”, një filmi i shkurtër, i cili më 12 gusht e shënon premierën botërore në Festivalin e filmit në Locarno të Zvicrës.

Vlen të theksohet se njëri prej protagonistëve të këtij projekti, Redon Kika, ishte i ftuar në “Nëpër Film” këtë javë, me ç’rast tregoi rreth procesit të realizimit të filmit dhe shumëçka tjetër.

Ai ka thënë: “Xhrimet kanë zgjatur vetëm dy ditë, por kanë qenë shumë intensive. Ato kanë zënë vend në ‘Bahnhof’ që ka qenë një vend të cilin të rinjtë e Prishtinës e kanë frekuentuar për ndeja dhe festa, dhe filmi është xhiruar në kohën kur njerëzit nuk kanë pasur mundësi ta dalin, prandaj ka qenë ndeja e parë, të cilën e kanë përjetuar. Ata kanë qenë të ftuar të vijnë në këtë ndejë, por nuk kanë qenë në dijeni se aty do të xhirohet një film. Të vetmit që kanë qenë në njohuri për këtë gjë ka qenë ekipi i filmit dhe aktorët. Kjo ngase Learti ka dashur ta realizojë një film hibrid, i cili i përngjan llojit të dokumentarit, dhe njerëzit me të vërtetë do të ishin pjesë e festës dhe janë argëtuar duke qenë plotësisht vetvetja. Pikërisht kjo gjë është reflektuar në film dhe këtë ka arritur ta bëjë regjisori”, deklaroi aktori.

Përveç Kikës, në film luajnë edhe aktorët Florist Bajgora, Gjeni Basha, Blend Sylejmani, Don Shala, Nita Kaja, Dardan Bytyqi, Rene Hasani dhe Drita Nokaj dhe të tjerë, ndërsa ngjarja e tij zhvillohet në një ndejë të mbajtur në kryeqytet. Redoni tregoi se roli i tij ka qenë mjaft sfidues, por edhe argëtues në të njëjtën kohë.

“Në këtë version të filmit, ngase do të realizohet edhe filmi i metrazhit të gjatë, pra kjo është vetëm një pjesë e filmit të gjatë, e gjithë storja zhvillohet brenda një ndeje dhe takimit mes këtyre dy të rinjve dhe aty fillon e zhvillohet drama. Nuk i kisha dashur të tregoj më shumë për filmin ngase kisha dashur që njerëzit ta shikojnë dhe ta gjykojnë atë vet. Aktorë në film janë Florist Bajgora, Gjeni Basha, Blend Sylejmani, Don Shala, Nita Kaja, Edon Shileku, Dardan Bytyqi, Rene Hasani dhe Drita Nokaj. Ka qenë me të vërtetë shumë interesant dhe e lehtë të punosh bashkë me ta. Roli im ka qenë shumë sfidues mirëpo njëkohësisht edhe argëtues. Ka qenë sfidues ngase gjatë gjithë filmit është dashur ta luaja një gjendje emocionale, gjë që gjithmonë si aktor e mendon nëse do ta teprosh apo do ta luash me masë. Unë gjithmonë kam dashur ta luaj rolin tim me mase dhe kjo ka qenë sfida më e madhe për mua”.

Redon Kika ka kohë që merret me art dhe pasioni i tij shtrihet në fusha të ndryshe, si muzika, filmi, teatri, fotografia dhe të tjerë. Megjithëse fokusin kryesor e ka në aktrim, ai tregon që së fundmi ka filluar të angazhohet edhe si regjisor i filmave të shkurtër dokumentarë.

“Kur kam qenë shumë i vogël kam pasur dëshirë të bëhem këngëtar, pastaj me 14 vjet e kam zbuluar dëshirën ndaj aktrimit. Kam qenë pjesë e një produksioni finlandez dhe kosovar në Teatrin Kombëtarë, pjesë e së cilit ka qenë edhe Florist Bajgora dhe aty e kam kuptuar që në fakt më shumë po më pëlqen aktrimi sesa muzika. Kështu përgjatë vjetëve jam munduar të eksploroj sa më shumë dhe të bëjë gjëra të ndryshme. Tash së fundmi kam filluar të merrem edhe me regji dhe në fokus e kam më shumë dokumentarin dhe jo filmin fiktiv, sepse më pëlqen realiteti dhe t’i rrëfejë tregimet e njerëzve të cilat janë duke i jetuar në të vërtetë” shtoi Kika.

I pyetur rreth asaj se si e vlerëson ecurinë e filmave kosovarë vjetëve të fundit, Redoni tha: “Janë lajme tepër të mira të cilat ne si aktorë të rinj por edhe më të vjetrit duhet me u kënaq dhe me iu gëzuar këtyre lajmeve. Gjithmonë duke i parë këto sukseset e fundit të kinematografisë kosovare, e kam menduar se Kosova e ka një anë shpirtërore që është shumë e veçantë dhe e mbarë bota po e sheh këtë gjë. Mendoj se ka shumë rrugë përpara por edhe shumë punë të cilat duhen të bëhen, sidomos nga ana financiare, sepse për t’u prodhuar një film nuk duhet të jetë vetëm i suksesshëm por edhe të ketë mbështetje të mirë financiare. Prandaj, mendoj që edhe si aktor do të hapen mundësi më të mëdha sidomos nëse zhvillohet një industri ma e madhe siç është duke ndodhur tashmë”.

Pas Festivalit të filmit në Locarno, ku ekipi do të jetë i pranishëm fizikisht, “4 Pills at Night” do të jetë pjesë edhe e edicionit të 20-të të “DokuFestit”, ku shfaqet jashtë konkurrencës së festivalit. /albinfo.ch/ KultPlus.com

Të ngjajshme