Dokumentari mbi artin e grabitur afrikan fiton ”Ariun e Artë”

25 Shkurt, 2024 - 8:30 pm

Dokumentari “Dahomey” i regjisores me origjinë franceze, Mati Diop për kthimin e artit të grabitur afrikan ka fituar ”Ariun e Artë”, thënë ndryshe çmimin kryesor si filmi më i mirë i festivalit të filmit të Berlinit, Berlinale, njoftoi juria dje në mbrëmje vonë.

Ishte hera e dytë që një film dokumentar fitoi ”Ariun e Artë” të lakmuar të Berlinales.

Në filmin e saj, Diop, 41 vjeçe, e cila ka rrënjë senegaleze, shoqëron 26 statuja në udhëtimin e tyre nga Franca në vendin e tyre të origjinës, Benin.

Thesaret e grabitura të artit u vodhën nga Dahomey, i cili tani është Benini, në 1892.

Në total, rreth 7 000 vepra arti u vodhën rreth 130 vjet më parë dhe janë ende sot në Francë.

”Të kthesh do të thotë të bësh drejtësi”, tha Diop pas marrjes së çmimit.

Filmi dokumentar eksperimental i Diopit magjeps me pasazhe poetike.

Regjisori gjerman Matthias Glasner mori një ”Ari të Argjendtë” për skenarin e dramës së tij “Dying” – çmimi i vetëm në konkurs për Gjermaninë.

Në film, Glasner trajtoi marrëdhënien e tij komplekse me familjen e tij.

59-vjeçari fillimisht ishte i shqetësuar se drama mund të ishte shumë personale.

Por, ajo preku shumë njerëz.

”Ia vlente disi që kur hapesh aq shumë sa të hapen edhe të tjerët”, tha ai pas ceremonisë së çmimit.

Këtë vit çmimi i madh i jurisë i Berlinales shkoi në Korenë e Jugut.

Juria nderoi shfaqjen e çuditshme “Yeohaengjaui pilyo” (“Nevojat e një udhëtari”) nga regjisori veteran i Koresë së Jugut Hong Sangsoo me Isabelle Huppert në rolin kryesor.

Aktori rumuno-amerikan Sebastian Stan u shpall aktori më i mirë për interpretimin e tij në tragjikomedinë “A different man”.

Aktorja britanike Emily Watson mori çmimin për interpretimin më të mirë dytësor për rolin e saj në “Small Things Like These”.

Drama irlandeze-belge me yllin e “Oppenheimer” Cillian Murphy hapi Berlinalen e këtij viti.

Francezi Bruno Dumont mori çmimin e jurisë për parodinë fantastiko-shkencore “L’Empire”.

Nelson Carlos De Los Santos Arias fitoi ”Ariun e Argjendtë” për regjisorin më të mirë për “Pepe”, një film eksperimental për një hipopotam të vdekur në Kolumbi.

Kameramani austriak Martin Gschlacht u nderua për një arritje të jashtëzakonshme artistike. Ai mori çmimin për punën e tij në dramën historike morbide “Des Teufels Bad” (“Banja e Djallit”).

Berlinale e këtij viti u shënua veçanërisht nga debatet politike – duke përfshirë ceremoninë e ndarjes së çmimeve.

Regjisori palestinez Basel Adra i bëri thirrje Gjermanisë në skenë që të ndalojë furnizimin me armë për Izraelin.

Adra realizoi dokumentarin “No Other Land” me tre kineastë të tjerë dhe fitoi çmimin e filmit dokumentar për të.

Kolektivi izraelito-palestinez kishte bërë thirrje tashmë për një armëpushim në Gaza gjatë premierës së filmit në Berlinale.

“Nuk ka tokë tjetër” ka të bëjë me zhvendosjen e palestinezëve në fshatrat Masafer Yatta, në jug të Hebronit në Bregun Perëndimor.

Së bashku me Kanën dhe Venecian, Berlinale është një nga festivalet më të mëdha të filmit në botë. / KultPlus.com

Të ngjajshme