Dokumentet e gjykatës thonë se aktorit Baldwin iu dha arma e mbushur, iu tha se është e sigurt

23 Tetor, 2021 - 9:01 am

Arma që aktori Alec Baldwin e shkrepi në mënyrë fatale gjatë xhirimeve të një filmi, duke e lënë të vrarë drejtoren e fotografisë, iu dha nga një drejtor asistent, i cili i tha se mjeti ishte i sigurt, thonë dokumentet e gjykatës.

Drejtori asistent i paidentifikuar nuk e dinte se arma përmbante municion të vërtetë dhe la të kuptohej se nuk ishte e mbushur duke thënë me zë të lartë “armë e ftohtë”, thuhet në dokumente.

Drejtorja e fotografisë, Halyna Hutchins, u qëllua në mënyrë fatale në gjoks në incidentin e së enjtes gjatë xhirimit të filmit “Rust”. Drejtori Joel Souza, i cili ndodhej pas saj, u plagos, shkruan BBC, transmeton KultPlus.

Aktori 63-vjeçar u mor në pyetje nga organet e sigurisë, por ende ndaj askujt nuk janë ngritur akuza për incidentin. Ai ka deklaruar se është duke bashkëpunuar  plotësisht me policinë lokale.

“Zemra ime është e thyer për bashkëshortin e saj, djalin e tyre dhe për të gjithë ata që e kanë njohur dhe e kanë dashur Halyna-n. Nuk ka fjalë që mund t’i përshkruajnë tmerrin dhe pikëllimin tim për aksidentin tragjik që ia mori jetën Halya Hutchins-it, një bashkëshorte, nënë dhe kolege shumë e admiruar e jona”, shkroi ai në Twitter.

Gruaja e vrarë aksidentalisht ishte nga Ukraina dhe ishte rritur në një bazë ushtarake sovjetike në Qarkun Arktik. Ajo kishte studiuar për gazetari në Kiev dhe për film në Los Angeles. Në vitin 2019, revista “American Cinematographer” e kishte cilësuar “yll në rritje”. / KultPlus.com

Të ngjajshme