Donart Zymberi debuton në Festivalin e Filmit në Slloveni me filmin ‘Një Manual për Ndarjen’

22 Nëntor, 2021 - 2:00 pm

Uranik Emini

Të rinjtë e Kosovës janë duke shënuar suksese të mëdha nëpër botë sa i përket pjesës së kinematografisë dhe krijimtarisë së filmave të rinj, shkruan KultPlus.

I tillë është edhe rasti i Donart Zymberit, student në vitin e tretë në Regjinë e Filmit, në Universitetin e Prishtinës.

Zymberi me filmin e tij “Një Manual për Ndarjen” është përzgjedhur që të marrë pjesë në edicionin e 37-të të Lubjanë LGBT Film Festival, festivali më i vjetër i këtij lloji në Evropë.

Gjithashtu, ky festival është edhe i pari sa i përket filmit internacional në Slloveni.

“Një Manual për Ndarjen” është një film fiktiv i metrazhit të shkurtër me skenar dhe regji nga Donart Zymberi, i prodhuar si detyrë semestrale gjatë vitit të dytë të studimeve të tij në Universitetin e Prishtinës.

Posteri i filmit: Një Manual për Ndarjen

Filmi është prodhuar gjatë vitit të dytë të studimeve në departamentin Regji Filmi dhe Tv në kuadër të Fakultetit te Arteve në Universitetin e Prishtinës, klasa e prof. i rregullt Jeton Ahmetaj, dhe asistente More Raça.

Ky film trajton temën e dashurisë nga perspektiva e ndarjes, dhe përbehet nga disa segmente të ndryshme, të cilat paraqesin proceset që një individ mund tí përjetojë pas përfundimit të një lidhjeje romantike dhe përcjellet me personazhin e Anës (Eli Gashi), një vajzë e re biseksuale, e cila rikujton eksperiencat e ndarjes nga ish e dashura e saj, Rina (Kosovare Krasniqi) derisa të takohet me një shok të vjetër.

Zymberi është përqendruar që filmin e tij ta shoqërojë me disa “mëlmesa” siç janë përdorimi i fotografive në segmentin e alkoolit dhe montazhi paralel në skenën e dashurisë.

Pjesë nga filmi

Kjo nuk është hera e parë që një film nga Kosova merr pjesë në këtë festival, pasi tre vite më parë edhe filmi “Martesa” me regji nga Blerta Zeqiri ishte prezentë në këtë festival.

Në anën tjetër, vitin e kaluar çmimin për filmin më të mirë në këtë festival e fitoi dokumentari “Welcome to Chechnya”.

Donart Zymberi është një regjisor i ri, i cili është akoma në studimet e tij dhe preferencat e tij kryesore janë format jo-konvencionale dhe eksperimentale në filmat e tij, veçanërisht në procesin e montazhit, siç edhe ka ndodhur në filmin e tij të fundit.

Kasta e aktorëve në këtë film janë të përbërë nga: Eli Gashi, Plumb Aliu dhe Kosovare Krasniqi, derisa pjesa tjetër e ekipës përbehet nga: Alper Zilgir, Kushtrim Haxha, Shkelqesa Salihu, Rinas Sherifi dhe Debora Zymberi, të cilët kryen funksione të ndryshme gjatë produksionit.

“Një Manual për Ndarjen” do të ketë premierën e tij më 13 dhjetor të këtij viti, në Kinotekën Sllovene në Lubjanë, gjithashtu do të shfaqet virtualisht në uebfaqen e festivalit. /KultPlus.com

Donart Zymberi

Të ngjajshme