Drita Agolli, regjisorja e parë në Shqipëri përkujtohet në ditën e lindjes

2 Qershor, 2021 - 1:08 pm

Përkujtohet sot artistja Drita Agolli. Ajo lindi më 2 qershor 1925 në Peshkopi. Gjatë Luftës Nacionalçlirimtare ka qenë ndër vajzat më në zë që ka luftuar dhe për këtë shkak ajo kaloi edhe në ilegalitet. Pas çlirimit bëhet pjesë e Teatrit Popullor falë talentit dhe të dhënave që kishte si artiste.

Gjatë viteve 1954- 1956 studion për skenografi dhe kostumografi në Akademinë e Arteve të Bukura në Rumani. Më pas studion për regjisurë në Institutin Shtetëror të Artit GITIS në Moskë duke u bërë edhe gruaja e parë e diplomuar për regjisore në Shqipëri.

Pasi kthehet në Shqipëri ajo jep një kontribut shumë të madh në “Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë” duke drejtuar edhe katedrën e dramës dhe përgatit breza të tërë aktorësh të cilët do të bëheshin mjaft të dashur për publikun.

Gjithashtu ajo vazhdonte angazhimin e saj si regjisore por edhe si aktore në Teatrin Popullor duke interpretuar shumë role si Gertruda tek Hamleti, Klea në Dhelpra dhe rrushtë, Ortensia në Zonja e Bujtinës, Blanka në Otello e shumë role të tjera.

Ndërsa si regjisore ajo njihet për shfaqje të dimensioneve të mëdha si “Lumi i Vdekur” i Jakov Xoxës, “Intrigë dhe Dashuri” nga Shiler, “Familja e Peshkatarit, “Shtrëngata”, “Llampa e neonit”, “Toka e zjarrtë”, “Pabesia”, “Njerëzit e thellësive” etj

Regjisorja e teatrit, aktorja, pedagogia e aktrimit Drita Agolli ka dhënë një kontribut të madh si regjisore edhe në “Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit” /atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme