Dritë mbi kulturën rome, Rolling Film Festival sjell edicionin e gjashtë me 27 filma

17 Prill, 2021 - 3:27 pm

Era Berisha

27 filma të formuara nga dhe rreth romëve nga e gjithë bota që eksplorojnë jetën, familjet rome, artin, personazhet e famshme, realitetin e historisë dhe përvojës dhe antigjipsizmin, do të shfaqen përgjatë festivalit ”Rolling Film Festival”, shkruan KultPlus.

Pikërisht mbrëmë ka filluar hapja e ”Rolling Film Festival” në Kino Armata në Prishtinë, festival ky i cili këtë vit shënon edicionin e gjashtë me radhë dhe i dedikohet heronjve të komunitetit rom, udhëtimi i të cilëve ka qenë i jashtëzakonshëm.

Pasi të pranishmit zunë vendet e tyre në sallë dhe dritat e zbehta zëvendësuan ndriçimin e atyre të mëdha, filloi ceremonia e hapjes së festivalit pikërisht nën organizimin e Rolling Film Festival, Roma Veristas Kosovo dhe Roma Film House ‘Romawood’, me ç’rast u shfaq videoja e cila prezantoi imazhin e festivalit të vajzës Manon Mustafa dhe trailerin e filmave si: ‘Daniel’ nga regjisorja Lorenta Barbatovci dhe ‘Genesis’ nga regjisori Arpad Bogdan.

Pas ceremonisë së hapjes, për të treguar më shumë rreth rrugëtimit të këtij festivali, i pranishëm ishte drejtori ekzekutiv i Roma Versitas Kosovo, Avni Mustafa.

“Festivali ka filluar në 2009 dhe është një mundësi unike për të bërë bashkë njerëzit që i përkasin kombeve, kulturave dhe prejardhjeve të ndryshme, për të festuar dhe njëkohësisht promovuar kulturën rome”, tha Mustafa.

Po ashtu, në këtë ceremoni të hapjes e cila promovon kulturë, i pranishëm ishte edhe  drejtori i Drejtorisë për Kulturë në Komunën e Prishtinës, Adrian Berisha i cili ka shprehur kënaqësinë e tij për tu takuar me të pranishmit në një ngjarje kulturore.

“Sinqerisht, për mua është për tu admiruar një punë e jashtëzakonshme e cila bëhet nga organizata të ndryshme jo qeveritare dhe institucione jo të pavarura drejt realizimit të ngjarjeve kulturore në Prishtinë. Ne së bashku me këto organizata dhe festivale duhet të bashkëpunojmë dhe të sjellim sa më shumë aktivitete të tilla”, thotë Berisha.

Sipas tij, ne të gjithë jemi një dhe Prishtina e i gjithë planeti është shtëpi për të gjithë, me të drejta të barabarta në edukim, arsim dhe në aktivitete kulturore, prandaj edhe Drejtoria e Kulturës është duke punuar për listën finale të festivaleve në Prishtinë ku mendohet që edhe Rolling Film Festival të futet në listën e festivaleve zyrtare në Prishtinë.

Tutje ai ka falënderuar stafin për punën e tyre të madhe dhe organizatorët e këtij festivali që kanë sjellë këtë festival në Prishtinë. E po ashtu me këtë rast ai ka cituar një pjesë interesante nga një kumtesë të Presidentes Vjosa Osmani, kur është realizuar ekspozita e vajzave rome në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

“Përmes ngjarjeve të tilla ne tregojmë se si fuqia e artit mund të jetë pikënisja më e mirë për të thyer barrierat dhe për të luftuar stereotipat”, përfundon kështu citimin Berisha.

Pas këtyre fjalimeve të përzemërta, të pranishmit patën mundësinë të shohin nga afër filmin ‘Daniel’, një film i metrazhit të shkurtër nga Lorenta Barbatovci, që për qëllim ka shpalosjen e udhëtimit të vështirë të dy fëmijëve romë, Daniel Serifovic dhe Berfina Jasarevic, të cilët njëkohësisht ishin edhe aktorë kryesorë të këtij filmi të xhiruar në Kosovë dhe ndryshimin e perspektivës se si publiku e sheh komunitetin rom në rrugë, në shkollë dhe në çdo vend.

Pas përfundimit të filmit, audienca pati rastin të dëgjojë më shumë rreth këtij filmi dhe se si erdhi ideja që ky film të realizohet, nga vetë regjisorja e filmit.

“Unë gjithmonë kam dashur që të realizojë këtë film prandaj prita që të ngrihem më shumë në aspektin profesional që ky film të dalë në mënyrën më të mirë. Kështu, takova fëmijët në Graçanicë, kurse në imagjinatën time personazhi i djalit duhet të ecte si një burrë i vogël dhe kur e pashë ecjen e Daniel, vendosa në atë moment që ai të ishte pjesë e filmit. E njëjta ndodhi edhe me Berfinën kur e pashë atë, vendosa që ajo i përkiste personazhit të një vajze të qetë dhe të ndrojtur”, tregon Barbatovci.

Sipas saj, karakteri i Daniel i përngjan atij të një rebeli në mënyrën më të mirë, një rebel që ndjek pas atë që ai dëshiron, ëndrrat e tij dhe mos humbjen e besimit në vetvete. Prandaj, ajo edhe e dashuron këtë film duke e cilësuar si eksperienca e saj më e mirë në të gjithë jetën e saj.

Tutje ajo ka treguar se projekti i saj i radhës do të për komunitetin rom dhe në të përsëri do të jenë pjesë Danieli dhe Berfina.

Ndërsa, filmi i dytë ‘Genesis’, i realizuar nga regjisori Arpad Bogdan nga Budapesti, tregon një histori të bazuar në ngjarje të vërtetë ku në një nocion biblik të tre familjeve të ndryshme, jeta e të cilave ndryshon thelbësisht kur grupi neo-nazist përfshihet në jetën e tyre.

Rolling Film Festival nga data 16 prill deri më 20 prill, do të shfaqë gjithsej 27 filma që përfshijnë: dokumentarë, të shkurtra dhe animacion. Po ashtu, këto filma mund ti ndiqni në formën online në linkun: https://online.rollingfilm.org/. KultPlus.com

Të ngjajshme