Festivali i Filmit në Venecia 2025: Ja filmat më me potencial për çmime

22 Korrik, 2025 - 1:04 pm

Drejtori artistik i Festivalit të Filmit në Venecia, Alberto Barbera, ka zbuluar programin e pasur dhe shumë të pritur të edicionit të 82-të, që do të zhvillohet nga 27 gushti deri më 6 shtator 2025. Festivali sjell një përzierje të filma me yje të mëdhenj hollivudianë dhe produksione të vogla, por me potencial të madh për çmime, duke krijuar kështu një panoramë të gjallë dhe shumëngjyrëshe kinematografike.

Në garë për Luanin e Artë do të jenë filma të mëdhenj nga regjisorë si Kathryn Bigelow, Guillermo del Toro, Chloe Zhao, Noah Baumbach, Luca Guadagnino, Yorgos Lanthimos, Olivier Assayas, Park Chan-wook dhe Benny Safdie. Ndër filmat më të pritur janë “The Smashing Machine” i Safdie, me Dwayne Johnson në rolin e një kampioni UFC, si dhe “Bugonia”, bashkëpunimi i fundit midis Yorgos Lanthimos dhe Emma Stone, pas suksesit të tyre në vitin 2023 me “Poor Things”. Luca Guadagnino prezanton dramën psikologjike “After the Hunt”, me Julia Roberts dhe Andrew Garfield, që do të shfaqet jashtë garës,transmeton KultPlus.

Platforma Netflix do të jetë prani e fortë në festival me tre filma origjinalë në garë: “A House of Dynamite” nga Kathryn Bigelow, që trajton një krizë kombëtare në Shtëpinë e Bardhë; komedia-dramë “Jay Kelly” e Noah Baumbach me George Clooney në rolin kryesor; dhe “Frankenstein” i Guillermo del Toro, një risjellje e klasikut të krijuar me aktorë si Oscar Isaac dhe Mia Goth.

Një risi e këtij viti është pjesëmarrja e platformës arthouse Mubi, që hap festivalin me filmin “La Grazia” të Paolo Sorrentino, si dhe me triptikun “Father Mother Sister Brother” të Jim Jarmusch, ku luajnë emra të mëdhenj si Cate Blanchett dhe Adam Driver. Mubi sjell gjithashtu filmin e regjisorët korean Park Chan-wook, “No Other Choice”.

Pjesëmarrje të rëndësishme vijnë edhe nga Franca, me Olivier Assayas dhe filmin e tij politik “The Wizard of the Kremlin” që eksploron ngritjen e Vladimir Putinit, me Jude Law në rolin kryesor, si dhe me rikthimin në Venecia të François Ozon me “The Stranger”, një adaptim i romanit të Albert Camus. Italia do të prezantojë filma të njohur si “Below the Clouds” i Gianfranco Rosi dhe biografinë “Duse” për aktoren legjendare Eleonora Duse.

Një pjesë e rëndësishme e festivalit do të jenë edhe serialet televizive, ku Italia përfaqësohet me tre produksione, përfshirë “Portobello” të Marco Bellocchio dhe serialin Netflix “The Monster of Florence”.
Juria kryesore do të drejtohet nga dy herë fituesi i Oscarit, Alexander Payne, ndërsa programi i festivalit përfshin gjithashtu filma jashtë garës, dokumentarë dhe filma të shkurtër nga regjisorë të njohur si Sofia Coppola, Werner Herzog dhe Gus Van Sant.

Festivali i Filmit në Venecia 2025 premton të jetë një nga ngjarjet më të rëndësishme kinematografike të vitit, duke ofruar një pasqyrë të pasur të tendencave të reja dhe talentëve më të mëdhenj në skenën ndërkombëtare të filmit./KultPlus.com

Të ngjajshme