Festivali i Kanës godet liderët boterorë: Po e çoni njerëzimin drejt katastrofës

15 Maj, 2019 - 4:59 pm

Festivali i Filmit në Kanë pati një fillim jo aq të lehtë me kreun e jurisë, meksikanin Alejandro Gonzalez Inarritu.

Ai hapi festivalin me akuzat ndaj liderëve botërorë, duke thënë se po e udhëheqin botën me urrejtje, inat dhe gënjeshtra.

Inarritu tha se mbizotërimi i retorikës shtypëse të emigracionit mund ta çojë njerëzimin drejt një lufte të re botërore.

“Problemi është mbizotërimi i injorancës,” tha ai.

Para hapjes së premierës së filmit të Jim Marmusch “Të vdekurit nuk vdesin”, Inarritu ua dha këtë mesazh të qartë udhëheqësve:

“Jam totalisht kundër asaj që po ndodh dhe po shpresoj të ketë diçka që mund ta ndalë këtë gjë që na kthen në vitin 1939 (Lufta e Dytë Botërore). Ne e dimë se si mbaron kjo punë nëse vazhdojmë me këtë retorikë”, theksoi drejtori i filmave të njohur si Birdman, Babel dhe Revenant.

Duke iu referuar ndryshimeve klimatike, ai tha: “Bota po shkrihet dhe këta njerëz në thelb janë në pushtet me inat, zemërim dhe gënjeshtra dhe po veprojnë me gënjeshtra duke i bërë të tjerët të besojnë se ato janë gjëra reale”.

55-vjeçari, i cili u bashkua me panelin e konferencës për shtyp të jurisë, shtoi: “Unë nuk jam politikan, por si artist, mund të shpreh përmes punës sime me zemër të hapur atë që e mendoj dhe që është e vërtetë, dhe tërë këtë e tregoj nëpërmjet punës që bëj. ”

Festivali i filmit pritet të bëhet edhe më shumë politik, ndërsa vazhdon edhe javën tjetër.

Inarritu dhe paneli prej tetë personash do të shikojnë dhe pastaj do të diskutojnë meritat e të gjithë 21 filmave në garë gjatë dy javëve të ardhshme.

Fituesi do të fitojë çmimin prestigjioz Palme d’Or në finalen e festivalit. Inarritu deklaroi të martën se paneli do të marrë një vendim të bazuar në “artin” dhe jo “emrin apo famën” e ofertës së secilit drejtues filmi. /KultPlus.com

Të ngjajshme