Festivali i Sarajevës eksploron pasojat e luftës

28 Qershor, 2018 - 8:10 pm

Festivali i pestë i përvitshëm WARM u hap në kryeqytetin boshnjak të mërkurën, duke paraqitur imazhe dhe filma rreth konflikteve në mbarë botën, si dhe për pasojat tragjike të luftërave të viteve 1990 në ish-Jugosllavi.

Çështjet si refugjatët, ndarjet etnike dhe diskriminimi kundër pakicave gjithashtu po shqyrtohen në festival, i cili drejtohet nga një fondacion i quajtur WARM (Lufta, Arti, Raportimi, Kujtimet) që u krijua nga një grup gazetarësh dhe artistësh, shumë prej të cilëve vizituan Sarajevën gjatë rrethimit të qytetit të viteve 1990.

“Të gjitha pasqyrohen përmes temave që trajtohen, si refugjatët, siç është ekspozita e fotografive të Rohingya, e cila është mbi eksodin e më shumë se një milionë refugjatëve në Bangladesh,” tha kryetari i Fondacionit WARM, Remy Ourdan gjatë hapjes së festivalit në Sarajevë.

“Këtë vit në veçanti, ashtu si në vitet e kaluara, lufta siriane po trajtohet nëpërmjet katër filmave rreth pasojave tragjike të luftës që po vazhdon ende,” shtoi ai.

Rreth 350 vepra nga rreth 200 krijues imazhi nga Ballkani dhe pjesa tjetër e botës do të ekspozohen në Muzeun Historik dhe i Ruajtjes Sarajevë, që është pjesë e Galerisë Kombëtare.

Menaxherja boshnjake e Fondacionit ËARM, Velma Sariç, tha se çështja e mohimit të krimeve të luftës dhe gjenocidit do të theksohet nga shfaqja e një filmi të shkurtër të titulluar “Përse nuk jeni këtu?” nga Aida Sehoviç, krijuesja e një udhëtimi përkujtimor të përbërë nga filxhanë kafeje bosh.

Sariç tha se në bashkëpunim me partnerin e ri të Festivalit WARM, Misioni i OSBE-së në Bosnje dhe Hercegovinë, do të mbahet një seminar një ditor për ndarjen arsimore të nxënësve në Bosnje dhe Hercegovinë, ku nxënës shkolle të grupeve të ndryshme etnike ndonjëherë marrin mësim veçmas në të njëjtën ndërtesë, një praktikë e njohur si “dy shkolla nën një çati”.

“Më pas ne do të kemi gjithashtu një panel diskutimi mbi shkeljet e të drejtave të njeriut të pakicave, në këtë rast të romëve,” shtoi Sariç.

Adnan Pavloviç, drejtor i programit të filmit të festivalit, tha se të gjithë filmat që do të shfaqen këtë vit janë prodhuar në vitin 2017 dhe përfaqësojnë “shfaqjen më të freskët të dokumentarëve që trajtojnë çështjet pas konfliktit”.

Pavloviç përmendi filmin e Matthew Millan “Më i fortë se plumbat”, për rolin e muzikës gjatë revolucionit libian të vitit 2011, si dhe filmin e Srdjan Sarenaç për ndarjen arsimore boshnjake, “Dy shkolla nën një çati”. / BIRN / KultPlus.com

Të ngjajshme