Festivali ndërkombëtar ‘Dardan Fest’, 100 filma dokumentarë në Tiranë

26 Tetor, 2021 - 10:54 pm

Festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar “Dardan Fest”, i cili ka në fokus urbanizimin dhe civilizimin, dy elementë të rëndësishëm mbi të cilët zhvillohet sot bota, nisi sot edicionin e dytë në Tiranë.

Në këtë festival që do të zhvillohet në sallën e re “Tonin Harapi” të Liceut Artistik nga 26-29 tetor do të shfaqen 100 filma dokumentarë nga Italia, Amerika, Irani, Serbia, Shqipëria etj.

Nata e parë e festivali u hap me shfaqjen e filmit “Vulë” me skenar dhe regji nga Valmir Tertini. Për realizimin e filmit “Vulë” në të cilin janë bërë bashkë aktorë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia ka dhënë mbështetjen e saj edhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë në Shqipëri.

Ky film ka marrë çmimin për filmin më të mirë dhe regjinë më të mirë në Chauri Chaura International Film Festival, dhe çmimin për skenarin më të mirë në New York True Venture Festival (NYTVFF).

Në këtë film luajnë aktorët Jorida Sorra, Fatlume Bunjaku, Avni Dalipi, Edmond Hafizademi, Vlera Pylla dhe të tjerë. Xhirimet e filmit artistik “Vulë” me skenar dhe regji nga Valmir Tertini janë bërë jo vetëm në Tiranë, por edhe në Prishtinë. Rolin kryesor Viktorian në film e luan aktorja shqiptare Jorida Sorra, që në Gjermani gjithashtu është edhe pjesë e teatrit.

Gjatë natës së parë u shfaq edhe filmi “Shija e dërrit” me regji të Evis Lulja, i cili pasqyron përpjekjet e një familjeje për ta ballafaquar varfërinë.

Gjithashtu për artdashësit u shfaq edhe filmi “The last wave” i regjisorit maroken  Mustapha Farmati.

Festivali “Dardan Fest” synon të drejtojë vëmendjen jo vetëm nga bota e kinematografisë, arkitekturës, a zhvillimit të cilitdo zhanri artistik, por së pari, të jetë një dritare mundësish që angazhon të rinjtë në krijime që i shërbejnë qytetërimit, kulturës e historisë./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme