Festivali Ndërkombëtar i Filmit për të Drejtat e Njeriut, 41 filma shfaqen për herë të parë për publikun shqiptar

11 Shtator, 2020 - 3:40 pm

41 filma do të shfaqen për publikun kryeqytetas në edicionin e 15-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut në Shqipëri – IHRFFA (www.ihrffa.net) që do të zhvillohet në 14-25 shtator në Tiranë.

I konsideruar si një nga ngjarjet më të rëndësishme kinematografike që zhvillohen në Shqipëri, këtë vit aktiviteti vjen me një tematikë të mprehtë që në fokus do të ketë të drejtat e grave dhe të fëmijëve.

Në këtë edicion, janë përzgjedhur 41 filma për t’u shfaqur për publikun, prej 3500 aplikimeve të ardhura në adresë të IHRFFA-së. Filmat e IHRFFA 15 janë produksion i 2-3 viteve të fundit dhe shfaqen për herë të parë për publikun tonë.

Partneri kryesor i Edicionit të 15-të të Festivalit është Ambasada Austriake.  Këtë vit, për shkak të situatës COVID-19 Festivali ka shtrirje më të gjatë kohore, përgjatë 11 ditëve, duke filluar nga data 14 Shtator, deri më 24 Shtator.

Të gjitha shfaqjet do të realizohen në ambjente të hapura, ku programi kryesor do të jetë në Kinemanë Verore të Akademisë së Filmit dhe Multimedias Marubi, Lulishten pranë Kryeministrisë dhe Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit.

Çelja e Festivalit zhvillohet ditën e hënë, ora 19.00 me ceremoninë hapëse dhe shfaqjen e filmit  të parë “Kaviar”, film fiksion, produksion Austriak i vitit 2019 dhe regji të Elena Tikhonova.

IHRFFA do të organizojë shfaqje filmi dhe forume në Akademinë e Sigurisë, në bashkëpunim me Ambasadën Suedeze, si edhe shfaqje filmash dhe forume në disa shkolla të mesme në Tiranë, Vlorë, Shkodër dhe Korçë, përgjatë vitit akademik 2020-2021.

Gjithashtu, IHRFFA në bashkëpunim me Qendrën për Hapje dhe Dialog organizojnë konkurs video për të drejtat e njeriut, duke vënë online formatin e aplikimit nga të rinj shqiptarë 14-22 vjeç dhe duke u dhënë mundësinë atyre, që të shprehen artistikisht nëpërmjet një video 1-2 minuta, lidhur me temën e sivjetshme të IHRFFA-së. Thirrja për aplikim në këtë konkurs do të jetë e hapur deri më datë 20 Shtator 2020./ atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme