5 Gusht, 2017 - 6:00 pm
Sarandë Selimi
Bashkë-prodhuesit e filmit ‘Home’, film ky i cili mori BAFTA-n e parë të Kosovës, ndanë perspektivën e tyre mbi rëndësinë e projekteve bashkëpunuese si dhe rolin e ‘Home’ në përhapjen e lidhjes kulturore për Kosovën. Ky ishte Paneli Industrial në kuadër të edicionit të 16-të të DokuFest-it, i cili nisi mbrëmë këtë rrugëtim, shkruan KultPlus.
Ky panel mblodhi rreth vetës dy producentët si Afolabi Kuti nga Britania e Madhe dhe Shpat Dedën nga Kosova ndërsa të pranishëm për të folur rreth kësaj çështje ishin edhe Shpend Qamili-Fundraising dhe Koordinim dhe Eroll Bilibani-Producent Ekzekutiv i cili njëherësh edhe udhëhoqi këtë diskutim.
Gjithçka nisi me producentin nga Britania e Madhe Afolabi Kuti, i cili fillimisht foli rreth përshtypjeve të tij për Kosovën e në veçanti për festivalin DokuFest.
“Është kaq mirë të jem këtu me pëlqejnë njerëzit, ushqimi e gjithçka tjetër. Kur kam ardhur këtu të gjithë kanë qenë duke biseduar se si DokuFest ka nisë të sjellë një frymë të re të kinemasë, kam parë që gjithçka është e mundur këtu dhe mund të arrihet gjithçka duke e pas parasysh ekipin që është këtu. Nuk ka asnjë mënyrë që kishim pas mundësi ta realizojmë këtë film vetëm në Britani, pa ndihmën edhe të ekipës në Kosovë. Mbledhja e një numri të madh të njerëzve, FSK e gjithë njerëzit që janë mbledhur së bashku ka qenë thjeshtë e mrekullueshme”, theksoi Kuti, i cili vazhdoi të thotë se gjithmonë flet për DokuFest-in sikur të ishte ‘The Lord of the Ring’, ku Daniel, është mbrojtësi i unazës dhe të gjithë të tjerët bëhen së bashku për ta realizuar.
Ndërkohë Shpat Deda – producent i Kosovës, përfundimin e filmit ‘Home’ e ndjen sikur të kishte diplomuar në një universitet, pasi që, sipas tij ka mësuar shumë gjëra nga aty.
“Ka qenë një ekip e mrekullueshme edhe në Britani, ku kemi punuara dhe jemi bërë së bashku për këtë kauzë. Sa i përket këtij projekti mendoj që është shumë i rëndësishëm sepse njerëzit e industrisë së filmit në Kosovë kanë mundur të mësojnë nga kjo. Ne kemi pasur fat që kemi pas një ekipë të tillë prapa vetës dhe mendoj që mënyra më e mirë për të mësuar është duke e bërë”, pohoi Shpat Deda.
Krejt në fund të këtij diskutimi që u moderua nga Eroll Bilibani, foli edhe Shpend Qamili-Fundraising dhe koordinim, i cili kujtoj herën e parë të takimit me Daniel Mulloy. Ai poashtu theksoi që kanë punuar shumë të gjejnë mbështetje për realizim dhe që gjithçka të shkoi mirë. Edhe Qamili, u shpreh i lumtur që ka pas mundësi të jetë pjesë e këtij projekti që solli një çmim shumë të madh në Kosovë.
Ndërsa Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe atij të Shkurtër DokuFest, vazhdon tutje me programin e tij shumë të larmishëm deri më 12 gusht. / KultPlus.com