Filmi i parë shqiptar “Tana” premierë në Festivalin ‘Lumiere’ të Francës

19 Tetor, 2022 - 11:30 pm

Filmi i restauruar “Tana” me regji nga Kristaq Dhamo, prodhim i vitit 1958 shënoi premierën europiane në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit “Lumiere”, në Lion, mbrëmjen e 18 tetorit.

Arkivi Qëndror Shtetëror i bëhet kështu pjesë e programit Treasures & Curiosities.  Sipas AQSHF shfaqja e filmit u prezantua nga Maelle Arnaud, drejtoreshë e programacionit të festivalit “Lumiere” dhe u mbyll nga studiuesi Joël Chapron në një atmosferë të ngrohtë në sallën e mbushur plot me dashamirës të kinemasë klasike europiane. Festivali do të vijojë deri  më datë 23 tetor. Shfaqja e radhës e filmit Tana do të jetë në datën 21 tetor në Lumiere Terreaux.

Ky lloj programi brenda festivalit I jep një zë të veçantë kinemave më pak të njohura  si dhe vve theksin tek restaurimi dhe njohja e kinemasë klasike.

Tana (1958), njihet si filmi i parë artistik shqiptar, i cili u prodhua nga Shqipëria Film (më pas Kinostudioja “Shqipëria e Re”). Premiera është dhënë më 17 gusht 1958.

Subjekti i filmit, me temë nga jeta shoqërore e fshatit dhe shkruar skenar nga Fatmir Gjata dhe bashkë-skenarist Nasho Jorgaqin, mbështetet në novelën e tij me të njëjtin titull. Ngjarjet zhvillohen në vitet ‘50. Në qendër të filmit është Tana, një vajzë e zgjuar dhe me mendime të përparuara. Ajo dashuron Stefanin, i cili banon në një fshat të varfër malor. Tanës i del përpara mentaliteti i vjetër i gjyshit të saj si dhe xhelozia e Lefterit. Është një lojë dashurie drejt përparimit. Këtu është realizuar puthja e parë në filmat shqiptarë.

Në film luajnë aktorët: Tinka Kurti, Naim Frashëri, Pjetër Gjoka, Kadri Roshi, Andon Pano, Thimi Filipi, Marie Logoreci, Ilia Shyti, Violeta Manushi, Nikolla Panajoti, Melpomeni Çobani, Mihal Stefa, Lazër Filipi, Vani Trako, Pandi Raidhi, Lazër Vlashi, Vangjel Grabocka, Esma Agolli, Dhimitër Trajçe.

Muzika e filmit u kompozua nga Çesk Zadeja dhe mbetet një prej filmave që ka lënë gjurmë të mëdha në historinë e kinematografisë shqiptare.

Premiera e filmit u dha më 17 korrik 1958. / KultPlus.com


Të ngjajshme