Filmi kosovar “Cirku Fluturues” mirëpritet në Santa Barbara

21 Janar, 2020 - 10:30 pm

Të hënën publiku i Kalifornisë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka mirëpritur filmin kosovar “Cirku fluturues”, të regjisorit Fatos Berisha. Ky film e pati premierën e vet amerikane në kuadër të festivalit “Santa Barbara International Film Festival” (SBIFF). Siç mësohet nga programi i këtij festivali, ky film do të pasohet edhe nga dy repriza të tjera.

Tri prezantime në Kaliforni

Menjëherë pas premierës, që pati mbrëmë në Santa Barbara të Kalifornisë, filmi “Cirku fluturues” do të reprizohet edhe dy herë radhazi në po këtë festival.

Nga programi i “Santa Barbara International Film Festival” mësohet se filmi “Cirku fluturues”, i Fatos Berishës do të reprizohet edhe këtë të martë në “Fiesta Theatre 4”, duke filluar nga ora 16:20 me kohën lokale të Kalifornisë. Filmi do të shfaqet gjithashtu edhe të mërkurën në orën 11:00, në “Lobero Theatre” në Santa Barbara, përcjell Koha Ditore.

Gjatë 34 vjetëve të fundit SBIFF-ja është bërë një nga festivalet kryesore të filmit në Shtetet e Bashkuara – duke tërhequr 95,000 pjesëmarrës dhe duke ofruar 11 ditë me më shumë se 200 filma, tribute dhe panele, duke përmbushur misionin e tyre për të angazhuar, për të pasuruar dhe për t’i frymëzuar njerëzit përmes fuqisë të filmit, raporton televizioni publik. Në qershor të vitit 2016 “Santa Barbara International Film Festival” hyri në një epokë të re me blerjen e teatrit historik “Riviera”. Pas një fushate për rinovimi e tij, teatri tani është shtëpia e re dhe më e bukur e SBIFF-it ku gjatë gjithë vitit shfaqen filma të rinj ndërkombëtarë dhe të pavarur.

“Cirku fluturues” është një komedi e zezë e bazuar në një ngjarje të vërtetë të fundit të viteve të ’90-ta e një grupi aktorësh nga Kosova, të cilët gjatë kohës së luftës në mënyrë ilegale kalojnë kufirin e Malit të Zi dhe të Shqipërisë për të marrë pjesë në një festival të teatrit në Tiranë. “Cirku fluturues” bazohet në një ngjarje të vërtetë, të përjetuar nga vetë regjisori. Në këtë film me rolet e tyre paraqiten aktorët: Armend Smajli, Tristan Halilaj, Afrim Muçaj, Shpëtim Selmani dhe Velibor Topië. Ndërsa në rolet dytësore: Velibor Topic, Luan Jaha, Shkumbin Istrefi, Armond Morina, Vedat Bajrami, Refet Abazi, Rita Gjeka, Romir Zalla, Fisnik Ademi, Rita Gjeka, Esela Pysqyli, Doresa Rexha, Maylinda Kasumovic, Krist Lleshi etj. Producente e filmit është Vjosa Berisha, kurse bashkëproducentë janë: Kristijan Burovski, Tomi Salkovski, Valon Bajgora, Agon Uka dhe Fatos Berisha. Pjesa tjetër e ekipit përbëhet nga drejtori i fotografisë Almir Ðikoli, montazheri Vladimir Pavlovski, disenjatori i setit Arben Shala, kompozitori Ognen Anastasovski, si dhe kostumografja Desantila Lika.

Filmi “Cirku fluturues” ka pasur premierën botërore në njërin prej festivaleve më të rëndësishme ndërkombëtare të filmit, në Tallin të Estonisë. E pas kësaj filmi i Berishës u vlerësua edhe para publikut italian. Nga Italia nuk u kthye pa trofe. Filmi “Cirku fluturues”, nga Fatos Berisha, ka fituar çmimin për filmin më të mirë të huaj të metrazhit të gjatë në Itali, në garën “Fabrique du Cinema Awards”.

Xhirimet e këtij filmi u mbyllën në prill të vitit 2018, pas një rrugëtimi 22-ditësh të ndarë në katër javë – një në Kosovë, një në Ulqin, një në Shkodër dhe një në Tiranë. “Cirku fluturues” është bashkëprodhim i Kosovës (“B2 Films Kosovo” dhe “Ikone Studio”), i Shqipërisë (“B2 Agency”, “Albania”) dhe i Maqedonisë Veriore (“Black Cat Production”). Filmi është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Qendra Kombëtare e Kinematografisë dhe Agjencia e Filmit e Maqedonisë Veriore. /KultPlus.com

Të ngjajshme