Filmi kosovar ‘Përjetësisht Fëmijë’ fiton çmim në Montecatini

27 Tetor, 2017 - 10:42 am

Filmi i shkurtër ‘Përjetësisht Fëmijë’ me skenar e regji të Lorena Sopit, ka fituar Çmimin Special të festivalit në edicionit e 68-të në Montecatini International Short Film Festival i cili konsiderohet si njëri ndër festivalet më të vjetra dhe më të rëndësishme të filmit në Evropë, saktësisht festivali më i vjetër i filmit të shkurtër, përcjellë KultPlus.

Nga një garë e jashtëzakonshme me më shumë se 12.000 filma konkurrues nga e gjithë bota, dhe 69 filmave të përzgjedhur në programin zyrtar në kategorinë kryesore të filmit të shkurtër fiktiv, filmi ‘Përjetësisht Fëmijë’ i Lorena Sopit ka qenë përfaqësuesi i vetëm nga Kosova, derisa në programin zyrtar ka garuar edhe filmi ‘Lost Exile’ i regjisorit shqiptar Fisnik Maxhuni i cili ka përfaqësuar Zvicrën.

Montecatini International Short Film Festival, është mbajtur nga data 21 – 26 tetor në një ambient të mrekullueshëm me shumë mysafir të ftuar dhe shumë punëtori, seminare e master-class të udhëhequra nga emra të mëdhenj të kinematografisë italiane si, Giancarlo Gannini, Paolo Sorentino, Federica Vincenti, Angelique Muller, etj. Gjatë festivalit në fokus ka qenë edhe programi ‘The Authors Days’ i kompozuar nga 11 filmat më të mirë të dhjetëvjeçarit.

Festivali i suportuar nga Regjioni i Toskanës dhe nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit të Italisë, ka përfunduar mbrëmë vonë me shpalljen e filmave fitues.

Filmi më i mirë i festivalit është shpallur ‘I Can See You’ i regjisorit rus Denis Kudryavtsev, filmi më i mirë Italian ‘Gionatan with a G’ i regjisorit Gianluca Santoni, filmi më i mirë fiktiv
‘Passenger’ i regjisorit turk Cem Ozay, kurse filmi më i mirë dokumentar, është shpallur filmi ‘50 x Rio’ i regjisorit italian Francesco Mansutti.

Vetëm në javën e fundit të tetorit, filmi i Lorena Sopit ‘Përjetësisht Fëmijë’ do të shfaqet edhe në tri festival të rëndësishme: Delhi Short Film Festival i cili do të mbahet në New Delhi të Indisë, pastaj në San Jose International Film Festival në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Goa International Short Film Festival. ‘Përjetësisht Fëmijë’ deri më tani ka fituar nëntë çmime kinematografike duke qenë pjesë e 33 festivaleve ndërkombëtare.

Filmi Përjetësisht Fëmijë trajton raportin e rrënuar familjar mes babasë autoritar dhe fëmijut të mitur. Moni, një djalë dhjetë vjeçar, jeton me të atin Xhemën në varfëri të madhe. Gjatë një dreke fatale, i ati Xhema vret aksidentalisht djalin e tij, Monin. Gjatë gjithë jetës së tij, Xhema do të ndjenë peshën e mallkimit, duke bartur mbi vete fajin për atë që ka ndodhur. Në ditët e tij të fundit, në moshë të shtyer, Xhema kthehet në shtëpinë ku ka ndodhur vrasja për të kërkuar falje nga djali i tij i vdekur,me shpresë se do të liroj shpirtin nga pesha e fajit dhe do të pushoj i qetë në jetën e përtejme.

Në rolin kryesor paraqitet aktori i njohur Xhevat Qorraj dhe Miran Zymberaj. Në rolet e tjera vijnë Sheqerije Buqaj, Beslidhe Bytyqi, Kosovare Hoti, Joni Thimi, etj.

Drejtori i fotografisë është Latif Hasolli. Montazhier Nexhmi Mehmeti. Kostumografe Samka Ferri. Mjeshtër zëri Gëzim Rama. Skenograf Uran Duli. Kompozitor Naim Krasniqi./ KultPlus.com

Të ngjajshme