Filmi ku luan Alban Ukaj, premierë në ‘Berlinale’

12 Shkurt, 2021 - 11:11 am


Aktori shqiptar që jeton në Sarajevë, Alban Ukaj, është vetëm një nga aktorët në filmin e regjisorit boshnjako-kanadez, Igor Drljaç, “Tabija” (Kështjella e bardhë).

“Kur takimi i rastësishëm qëllon t’i bëjë bashkë dy tinejxherë nga dy anë të kundërta të jetës në Sarajevën e pasluftës, një romancë harlisëse fsheh motivet e tyre të dëshpëruara e të trazuara”, thuhet në sinopsisin e shkurtër të filmit të dhënë në “IMDb”. Ukaj luan rolin e Alenit.

Në këtë film, që premierën e vet do ta ketë në nënkategorinë “Generation 14plus”, luajnë edhe aktorët: Pavle Çemerikiq, Sumeja Dardagan, Jasmin Gelo, Irena Mulamuhiq, Jelena Kordiq-Kuret, Hasija Boriq, Kerim Çutuna, Izudin Bajroviq, Ermin Bravo, Dragan Joviçiq, Maja Salkiq, Muhamed Haxhoviq, Sanin Milaviq dhe Lejla Pajiq.

Në qendër të filmit është një tinejxher i shtypur mes botës së errët dhe kushërinjve të tij kriminelë në Sarajevë dhe zbulimit të dashurisë.

Buxheti i filmit “Tabija” është 900 mijë euro dhe është mbështetur nga Ministria e Kulturës e Kantonit të Sarajevës dhe Fondi i Filmit në Bosnjë dhe Hercegovinë, Telefilm and Ontario Creates në Kanada, Eurimages, Creative Europe MEDIA, si dhe Hubert Balls Fund.

“Tabija” është xhiruar nga 31 gushti deri më 10 tetor të vitit 2019 në Sarajevë dhe rrotull saj.

Një tjetër film që do të shfaqet në po të njëjtën kategori është edhe “Mission Ulja Funk” nga Barbara Kronenberg. Ai është një bashkëproduksion mes Gjermanisë, Luksemburgut dhe Polonisë. Filmi debutues ka në qendër 12-vjeçaren Ulja, një kërkuese energjike dhe e zgjuar, që udhëton nga Bjellorusia me qëllim që të mirëpresë asteroidin që ka zbuluar. /koha/ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme