Filmi ‘Okarina’ me premierë botërore në Indi, shpërfaqë jetën e emigrantëve shqiptarë

22 Nëntor, 2023 - 9:04 pm

Filmi i metrazhit të gjatë “Okarina” me regji të Alban Zogjanit, është dhënë si premierë botërore në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Indi, shkruan KultPlus.

Filmi “Okarina” me skenar të Albana Mujës, e vendos shikuesin ne brendësi të privatësisë dhe përditshmerisë së një familjeje emigrantësh kosovarë në të 2000 – tat e hershme, përmes së cilës shpërfaqë historitë e patreguara të shumë shqiptarëve të humbur në kohë e ekzistencë.

Ky film gërsheton në vete problemet e të qenit emigrant, ndryshimet dhe tranzicionet e sjella nga jetesa në perëndim dhe mënyrat e përballjes me to.

Aktorët që luajnë në film janë: Jehon Gorani, Shengyl Ismajli, Rina Krasniqi, Flaka Latifi, Arta Selimi dhe Kastriot Shehi. Producente e filmit ishte: Rita Krasniqi dhe drejtor i fotografisë: Alex Bloom.

Skenaristja Albana Muja përmes një postimi në “Facebook” ka thënë se nominimi në një kategori të tillë është dëshmi e cilësisë që posedon përmbajtja filmike në tërësi.

“Kategoria e “Debutimit më të mirë” në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Indi përfshin realizime ndërkombëtare e indiane, të cilat shquhen si e ardhmja e kinemasë, ndërsa nominimi në kategori të tillë është dëshmi e cilësisë, rëndësisë dhe hapësirës që një krijim zë në këtë industri”, ka shkruar Muja. /KultPlus.com

Të ngjajshme