Filmi shqiptar me regji të Gentian Koçit “Dita zë fill” do të shfaqet në Kinemanë ABC (VIDEO)

29 Nëntor, 2017 - 10:30 am

Filmi artistik i metrazhit të gjatë “Dita zë fill”, me regji të Gentian Koçit që tashmë është i propozuar nga shteti shqiptar për çmimin Oscar, do të prezantohet edhe në Kosovë, shkruan KultPlus.

Drejtoresha e Kinemasë ABC, Miradije Vllahiu ka njoftuar për KultPlus se ky film do të shfaqet në ABC prej 7 dhjetorit, në terminin e rregullt prej orës 20:00.

Filmi “Dita zë fill”, tashmë është edhe film i çmimeve, pasi që, aktorja e këtij filmi Ornela Kapetani ka fituar çmimin “Zemra e Sarajevës”, si aktorja më e mirë e festivalit, sikurse që ky film ka fituar edhe çmimin ‘Golden Sun’, filmi më i mirë në Cinedays Fest of European Film.

Ky film flet për një nënë e cila bashkë me foshnjën e saj vendosin të jetojnë me një grua të vjetër dhe të sëmurë. Kompromiset morale që njerëzit duhet ti bëjnë kur ballafaqohen me sfida ekonomike dhe ato të mbijetesës, sipas Koçit, janë të pranishme dhe trajtohen në filmin shqiptar që nuk ka shumë kohë lansimi në treg. Në film luajnë: Ornela Kapetani: Suzana Prifti, Hermes Kasimati, Adele Gjoka…/KultPlus.com

Të ngjajshme