Fituesja e Oscarit kishte realizuar dokumentar për rininë në Kosovën e pasluftës

25 Shkurt, 2019 - 5:07 pm

“Free Solo”, dokumentar i realizuar nga regjisorët Elizabeth Chai Vasarhelyi dhe Jimmy Chin, ka arritur të triumfojë në ceremoninë e mbrëmshme të ndarjes së çmimeve Oscar duke u zgjedhur si “Dokumentari më i mirë”.

Regjisorja që u shpërblye me Çmimi Oscar, Elizabeth Chai, vite më parë kishte krijuar një dokumentar për periudhën e pasluftës në Kosovë, të titulluar: “A Normal Life” (Një jetë normale), njofton Klan Kosova.

Ky dokumentar nga Elizabeth Chai ka të bëjë me shtatë miq që janë të rinj në moshë dhe për jetën e tyre gjatë tre vjetëve në kohën e pasluftës në Kosovë.

Përmes historive të tyre të traumës dhe rimëkëmbjes, dëshpërimit dhe shpresës së përtërirë, shfaqet transformimi i tyre i mrekullueshëm nga fëmijë të konfliktit në udhëheqës të rinj të një shteti të ri.

“A Normal Life” është një dokumentar intim dhe një shpjegim personal i rritjes dhe lëvizjes përtej traumës.

“Free Solo” që u shpërblye si “Dokumentari më i mirë” në ceremoninë e të dielës flet për rrugëtimin e alpinistit Alex Honnold për t’u ngjitur pa litar në formacionin e famshëm të shkëmbinjëve El Capitan në Parkun Kombëtar Yosemite, në qershor të vitit 2017.

Regjisorët që janë edhe çift, Jimmy Chin dhe Elizabeth Chai Vasarhelyi, u sfiduan gjatë xhirimeve të këtij dokumentari – xhirimin e Honnold pa ndikuar në ngjitjen e tij në 3000 metra lartësi dhe incizimin e zërit, sepse ai ishte shpesh shumë larg nga kamera.

“Më duhet të besoja se Alex po ia dilte shumë mirë. Ne gjithashtu duhej të mbanim peshën që gjithë produksioni të shkonte në mënyrë të përsosur. Nëse do të bënim ndonjë gabim, do të ishte katastrofike”, ka thënë Chin në prapaskenë.

Në skenën e Oscars, Chai Vasarhelyi ka falënderuar National Geographic [për realizimin e këtij filmi], “që kanë besuar në ne dhe që kanë punësuar gra dhe njerëz me ngjyrë, sepse ne vetëm ndihmojmë që të prodhohen filma më të mirë”.

“Ky film është për të gjithë që besojnë në misionet e pamundura. Është puna e një ushtrie të tërë”. 

Të ngjajshme