“Furgoni” i Enerik Beqirit merr vlerësime nga revista prestigjioze

19 Nëntor, 2020 - 10:00 am

Revista prestigjioze ndërkombëtare e artit dhe kinematografisë, mxdwn.com e vlerëson filmin “Furgoni” (The Van) të Enerik Beqirit si një rrëfim autentik dhe mbërthyes që lundron mes familjes dhe lirisë me koston e të dyjave.

Kujtojmë se “Furgoni” ka qenë përzgjedhur në Festivalin e Kanës mes filmave që u përcollën për publikun ndërkombëtar.

Ja çfarë shkruan mxdwn.com:

Sa larg do të shkonit për familjen? Skenaristi dhe regjisori shqiptar Erenik Beqiri eksploron këtë pyetje dhe më shumë se kaq në filmin e tij të shkurtër por tronditës “Furgoni”, (The Van), i cili u dha premierë në 2019 në festivalin e Filmit në Kanë. Flet për një luftë brezash midis babait dhe birit në një dramë të shkurtër familjare, ndërsa dy burra kokëfortë shqiptarë të ndarë nga brezi dhe idealet përpiqen të kërkojnë një të ardhme të mirë. Ben (Phenix Brossard) nuk do të ndalet nga asgjë për të larguar veten e tij dhe të atin nga Shqipëria ndërsa përpiqet në rrugën e tij për një biletë për në Angli.

Kjo përfshin pjesëmarrjen në ndeshje të paligjshme të boksit në një furgon në lëvizje, ku vetëm një fitues mund të mbetet gjallë. Ndërkohë babai i tij (Arben Bajraktaraj) një punëtor ndërtimi i mbetur i ve, nuk pranon të lërë ëndrrat e tij për të pasur një biznes të ndërtimit.

Beqiri përdor një dialog të mprehtë, të përmbledhur dhe pamje intime. Ai godet aq fort me pamjet sa duket se Ben nuk do të shpëtojë kurrë. Trauma psikologjike e Benit nuk kërkon dialog në përshkrimin e saj, pasi e shohim atë në fytyrën e tij. Ndjekim çdo plagë e lëndim dhe ndjejmë çdo goditje.

Në fund, “Furgoni” (The Van) është një film i shkurtër mahnitës që hulumton thellësitë komplekse të dashurisë mes një babai dhe një djali dhe sa larg janë të dy të gatshëm të shkojnë për njëri-tjetrin. Beqiri krijon një rrëfim autentik dhe mbërthyes që lundron mes familjes dhe lirisë me koston e të dyjave./ Diaspora shqiptare/ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme