“Fusha e Mëllenjave”, tregimi i pamundësisë, tradhëtisë dhe kokave të larta të pasluftës

17 Korrik, 2019 - 3:14 pm

Ai është i vetmi që nuk ka folur. I vetmi prej shokëve të luftës që e pëson me tredhje, i vetmi që nuk mund të ketë fëmijë, i vetmi që e pati një fëmijë por të cilin ia mbytën.

Personazhi kryesor kthehet prej Londrës në Prishtinë, për ta kuptuar se sa shuplakë të fortë i ka dhënë jeta. Ish i burgosur politik, ai kthehet në Kosovë për të hapur dosjen e tij dhe shokëve, sepse dhimbjet e tij janë të forta – të ditëpërditshme.

Histori edhe më e thellë trajtohet në filmin “Fusha e mëllenjave” me regji nga Arzana Kraja, i cili mbrëmë hapi edicionin e 11-të të PriFest në kryeqytet.

Është mbajtur sot edhe konferenca e filmit i cili erdhi mbrëmë premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Të pranishëm në këtë konferencë ishin regjisorja Arzana Kraja, producenti Besnik Krapi, aktorët Shkumbin Istrefi, Irena Cahani dhe Xhevdet Doda.

Sipas regjisores Arzana Kraja filmi, ka marrë kritika mjaft të mira, kritika të cilat regjisorja nuk i kishte pritur. Ajo tha se është ndarë shumë e kënaqur me gjithçka, si me kritikat, me punën e realizuar nga stafi e veçanërisht me punën e aktorëve.

Producenti i filmit – Besnik Krapi tregoi për punën e vështirë dhe kohën që ka marrë filmi. Disa pjesë të filmit janë xhiruar në Angli e disa prej tyre në Kosovë. Duke qenë se ky është filmi i parë i Besnikut si producent, ai deklaroi të jetë shumë i kënaqur me punën dhe realizimin në tërësi.

Ngjarja e filmit nuk është e bazuar në ngjarje të vërtetë, mirëpo e inspiruar nga mijëra ngjarje të ngjashme me atë të filmit.

Regjisorja Kraja tregoi se dajtë e saj ishin të burgosur politik dhe se ajo fëmijërinë e ka kaluar duke dëgjuar të tilla skenare si ajo i trajtuar në filmin e metrazhit të gjatë.

Irena Cahani, e cila në film luan një grua amvise, mjaft llafazane, tha se është kënaqur shumë me një rol të tillë sepse për të rolet e tilla nuk janë shumë të zakonshme. Ajo për filmin u shpreh se është një rrëfim që të rrëmben dhe nuk të lë të shkëputesh as edhe një moment prej tij. Dhe më pas si me shaka tha: “Këtë film është mirë me ardhë me pa politikanët tanë”.

Sa për ironi, në sallën ku u dha premiera ishte Ramush Haradinaj – një prej emrave më të lakuar të spektrit politik në vend.

Shkumbin Istrefi, i cili ishte edhe personazhi kryesor i këtij filmi pohoi se nuk ka qenë aspak e lehtë realizimi i personazhit, shkruan KultPlus.

Beqa, është një personazh kompleks, introvert.

Beqa më shumë kthehet për tu ballafaquar me shokët e tij sesa të informohet rreth shtatzënisë së ish të dashurës. Shkumbin Istrefi, poashtu tha se ka pasur dilemat e veta se “a jam i duhuri për këtë rol”, mirëpo falë ndikimit të producentit dhe regjisores, realizimi i personazhit u bë më i lehtë.

Tradhëtia, mohimi, trishtimi, gënjeshtra, të gjitha këto përnjëherë i përplasen në fytyrë Beqës i cili kthehet në Kosovë për të zbuluar disa të vërteta që kanë të bëjnë me jetën e tij intime dhe më pas ndeshet me të vërteta krejtësisht të tjera që kanë të bëjnë me jetën e tij si i burgosur politik, të vërteta këto që ai i ka shtypur thellë në vete pa dashur t’i pranojë. Në fund fare personazhi mbetet buzë greminës, dhe sipas regjisores kjo ndodhë sepse ajo ka dëshiruar që shikuesi të vendosë se çfarë ndodh me fatin e personazhit, vazhdon të jetoj apo i jep fund jetës në atë moment.

“Filmi do të jetë pjesë e shumë festivaleve kombëtare dhe ndërkombëtare”, deklaroi krejt për fund producenti Besnik Krapi./ KultPlus.com

Të ngjajshme