Helen Mirren do ta marrë “Ariun e artë” për arritje jetësore në Berlinale

8 Dhjetor, 2019 - 9:04 am

Fituesja e çmimit “Oscar”, Helen Mirren, do ta pranojë një mirënjohje të madhe në Festivalin e Filmit në Berlin (Berlinale) në shkurt të vitit të ardhshëm.

Yllit të madh e cila statujën e artë e fitoi për dramën biografike “Queen” dhe ylli i serialit më të ri dramë të HBO/Sky “Catherine The Great” do t’i kushtohet një homazh i cili do të përbëhet nga disa nga filmat e saj më të famshëm, duke përfshirë “The Cook The Thief His Wife & Her Lover”, “The Last Station” dhe drama më e re kriminalistike “The Good Liar”.

“Helen Mirren është një personalitet i fortë, aktrimi i së cilës gjithmonë na ka mahnitur. Ajo na befason të gjithëve me interpretimin e saj të personazheve komplekse. Pavarësisht nëse bëhet fjalë për Chris nga “Calendar Girls” apo për mbretëreshën Elizabeth II në “Queen”, paraqitjet e saj janë shembull i një gruaje të fortë dhe të madhe dhe është nder për ne që do t’ia ndajmë asaj ‘Ariun e Artë’ për arritje jetësore”, e arsyetoi vendimin drejtoresha e re ekzekutive e festivalit, Mariette Rissenbeek.

Berlinale vitin e ardhshëm do ta ketë 70-vjetorin, ndërsa Mirren do t’i dorëzohet çmimi në ceremoninë e cila mbahet më 27 shkurt 2020, kur do të shfaqet filmi i saj i shpërblyer “Queen”, shrkuan KOHA Ditore. Roli i parë i madh filmik për Mirren ishte Cora në dramën humoristike “Age of Consent” të Michael Powell në vitin 1969, ndërsa më e kërkuar është bërë pas rolit të saj në filmin gangster të John Mackenzie, “The Long Good Friday” në vitin 1980.

“Ariu i Artë” është çmimi më i rëndësishëm në Festivalin e Filmit në Berlin, ndërsa jepet në kategorinë e filmit më të mirë, filmit më të mirë të shkurtër dhe për arritje jetësore (Honorary Golden Bear). Vitin e kaluar ky çmim iu nda Charlotte Rampling.

Festivali i 70-të i Filmit në Berlin do të mbahet nga 20 shkurti deri më 1 mars 2020, më vonë se zakonisht pasi data përshtatej më datën pak më të hershme të ceremonisë së “Oscar” (10 shkurt 2020).

Aktoren Helen Mirren aktualisht mund ta shohim në serialin e lartpërmendur “Catherine The Great” në të cilin e luan rolin titullar dhe në filmin “The Good Liar” ku luan edhe me një tjetër veteran, aktorin britanik Ian McKellen (filmi filloi të shfaqej në SHBA kah mesi i nëntorit). Vitin e ardhshëm do ta shohim në “Fast & Furious 9”./koha.net/ KultPlus.com


Të ngjajshme