26 Korrik, 2025 - 6:22 pm
Helen Mirren, mbretëresha britanike e aktrimit, feston sot ditëlindjen e saj të 80-të, sipas “Euronews”.
Gjatë karrierës së saj prej gjashtë dekadash, ajo zbukuroi skenat dhe ekranet tona me portretizimet e grave të fuqishme dhe komplekse, nga Kleopatra te Elizabeta II dhe Katerina e Madhe e Rusisë.
Mirren është gjithashtu e vetmja aktore që ka portretizuar të dyja Mbretëreshat Elizabeta në ekran.
Helen Mirren (lyena Lydia Mironov) lindi në Londër në vitin 1945, nga një baba me origjinë ruse dhe një nënë skoceze. Familja e saj zgjodhi te ndryshonte mbiemrin në Mirren në fillim të viteve 1950.
Ajo e filloi karrierën e saj në skenë, duke u bashkuar me Teatrin Kombëtar të të Rinjve të Britanisë së Madhe në moshën 18-vjeçare.
Atje, luajti rolin e Mbretëreshës së Egjiptit në tragjedinë “Antony and Cleopatra”, një rol që e riinterpretoi në vitin 1998 përballë Alan Rickman në Teatrin Kombëtar.
Një vit më vonë, Mirren iu bashkua kompanisë “Royal Shakespeare Company” ku qëndroi për 15 vjet.
Nga skena në ekran
Mirren fitoi rolin e saj të parë të madh në film në dramën komedi me regji të Michael Powell në vitin 1969, “The Age of Consent”.
Më vonë ajo u bë e njohur në rolet e saj si bashkëshortja e një perandori në dramën erotike të vitit 1979, “Caligula”; e dashura e një gangsteri në filmin “The Long Good Friday” në 1980; dhe si Morgana le Fay në filmin fantazi “Excalibur”, në 1981.
Ajo fitoi nominimin e saj të parë për Çmim Oscar për rolin e saj si Mbretëresha Charlotte në filmin e vitit 1994, “The Madness of King George”.
Aktorja britanike u martua me regjisorin amerikan Taylor Hackford në vitin 1997, 22 vjet pasi u takuan në sheshxhirimin e dramës së tij “White Nights”.
Në fillim të viteve 2000, Helen Mirren arriti një famë globale.
Ajo pushtoi zemrat dhe mendjet e publikut me rolin e saj kryesor në serialin televiziv policor “Prime Suspect”.
Me suksesin erdhën gjithmonë e më shumë vlerësime. Ajo fitoi tre çmime “BAFTA TV” dhe dy çmime “Primetime Emmy” për rolin e saj në “Prime Suspect”.
Ajo u dekorua me titullin “Dame Commander” të Urdhrit të Perandorisë Britanike (DBE) nga Mbretëresha Elizabeth II në vitin 2003 për shërbimet e saj në filmat dramë.
Tre vjet më vonë, Mirren luajti rolin e monarkes më jetëgjatë të Britanisë së Madhe në dramën me regji të Stephen Frears, “The Queen”.
Portretizimi i sovranes në javët pas vdekjes së Princeshë Dianës i dha asaj një çmim Oscar si Aktorja më e Mirë.
Duke sfiduar stereotipet
Helen Mirren ka fituar reputacion për elegancën dhe egërsinë e saj. Shpesh e përshkruar si seks simbol në rininë e saj, ajo tha se kurrë nuk ia kishte vënë këtë emërtim vetes.
Vitet e fundit, ajo ka sfiduar stereotipet kundër grave të moshuara, duke u bërë imazhi i “L’Oréal” në moshën 69-vjeçare, në vitin 2014.
Mirren gjithashtu e ka përqafuar publikisht feminizmin.
Ajo luajti rolin e kryeministres izraelite, Golda Meir në filmin “Golda” në 2023; të shefes së krimit në serialin televiziv “Mobland”, madje edhe të terapistes së Kendrick Lamar në videoklipin e tij muzikor ‘Count Me Out’ në 2022. /atsh/ KultPlus.com