Imami që fyen festivalin muzikor në Prizren

13 Korrik, 2018 - 4:21 pm

Besim Berisha, imami i një xhamie në Prizren e ka quajtur “lopë” një performues të festivalit muzikor “Ngom Fest” që për tre ditë organizohet në Kalanë e Prizrenit.

Në dy postime në Facebook, Imami Berisha ka thënë se “është tu pallë një lopë në Kala” dhe se “po terrorizon 70 për qind të qytetit” të Prizrenit.

“Prizreni qytet i festivaleve degjeneruese, jam kundër të gjithë atyre që përmes ‘kulturës’ na mbushin rininë me drogë dhe prostitucion!” ka shkruar ai në postimin e parë të cilit ia ka bashkëngjitur edhe një video në të cilën dëgjohet muzika nga Kalaja, transmeton Koha.net.

Në postimin e dytë, imami thotë se shkaku i zhurmës mund të ketë edhe ndonjë sulm terrorist dhe se performuesi është duke bërë ftesë që një gjë e tillë të ndodhë.

“Shkoni more ndaleni zhurmën se po çohet naj kush po ban akt terrorist! Se veç qajo na mungon. Se kjo lopa është duke bërë ftesë për një gjë të tillë”, ka shkruar Berisha.

Ndaj këtyre thirrjeve, ka reaguar drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu që ka thënë se qëndrimet e imamit Berisha që është edhe kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame në Prizren, nuk janë komfor detyrës së një predikuesi fetar, i cili duhet të promovojë paqen dhe tolerancën.

“Hoxha i Bashkësisë Islame t‘Prizrenit, ofendon dhe kërcënon me akt terrorist NGOM Fest, edhe fëmijët tanë që ishin pjesëmarrës në koncert. Prej sot, e derisa të qëndrojë në pozitën e kryetarit të Këshillit të Bashkësisë Islame në Prizren, Besim Berisha, do ta ndërpres kontributin vjetor të familjes sime për BIK-un, në shenjë revolte ndaj diskursit urrejtës të tij të shpërfaqur në profilin e tij në Facebook”, ka thënë Kryeziu që ka shtuar se komunikimi i Berishës ka marrë karakter të fushatës nxitëse dhe kërcënuese.

“Një klerik që me deklarimet e tij që kërcënon me akte terroriste, fyen e nxitë urrejtje ndërnjerëzore nuk duhet të jetë në krye të një bashkësie religjioze. Prandaj, të gjithë prizrenasit e besimit islam duhet të refuzojmë pagesën e taksave ndaj BIK-ut, deri në shkarkimin e imamit Besim Berisha”, ka shkruar ai.

Ashtu siç është traditë e këtij festivali, në natën e parë kishte muzikë hip-hop. Nata e dytë u karakterizua me muzikë rok, ndërsa natën e fundit skenat do të elektrizohen me muzikë elektronike.

Për tri ditë me radhë bende të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare kanë qenë pjesë e festivalit që është mbajtur 6 deri më 9 korrik.

Të fundit

Të ngjajshme