займ на карту онлайн потребительский кредит

Inaugurohet Arkivi i Filmit, shpëtohen 44 mijë bobina filmike nga lagështira

17 Shtator, 2020 - 4:23 pm

Që prej vitit 2004 kompresori i sistemit ftohës në Arkivin e Filmit nuk funksiononte.

Drejtoresha e Arkivit Iris Elezi nën praninë e ministres së Kulturës Elva Margariti dhe ambasadorit të Kinës Zhou Ding në Tiranë inauguruan këtë arritje, ku kushtet klimaterike dhe të lagështirës do të funksionojnë sipas standardeve europiane.

“Arkivi nuk mund të jetë një magazinë filmi, por një muze, një hapësirë për fëmijët edhe një hapësirë krenarie për të gjithë ne”, shprehet ministrja e Kulturës, Elva Margariti.

“Ajo që është veçanërisht e rrallë është që dokumentarët e çmuar Kinë-Shqipëri janë gjithmonë këtu. Mendoj se arti ka vlerë të përjetshme dhe historia meriton respekt”, shprehet ambasadori i Kinës në Tiranë, Zhou Ding.

 “Brenda Arkivit Shtetëror të Filmit ruhet e gjithë trashëgimia filmike shqiptare. Ndryshe nga vendet e botës që kanë një kopje të dytë, ne e ruajmë të gjithë këtë pasuri në Arkivin e Filmit. Një nga përgjegjësitë e Arkivit ka qenë krijimi i kushteve të favorshme për jetëgjatësinë e filmit. Jemi duke fol për temperaturën edhe lagështirën. Sikundër na mbështet Ministria e Kulturës, këtë vit na mbështet edhe Ambasada e Kinës dhe më në fund lagështia në AQSH është sipas standardeve. Kompresori i dytë i sistemit ftohës, i vitit 1984 i ndërtuar nga suedezët është këtu dhe kemi kthyer 100 për qind sistemin ftohës që nuk funksiononte”, shprehet drejtoresha Iris Elezi.

Përpos kësaj vazhdon puna në Arkiv edhe për restaurimin e 7 filmave me metrash të gjatë.

“Jemi duke bashkuar fuqitë me bashkinë për të restauruar “Koncert në vitin 1936”, kjo është fatkeqësia që në mes të viteve 1979-‘80 janë larë në banjon e gabuar të kimikateve 7 filma artistikë, 20 dokumentarë edhe 20 të animuar. Është një trashëgimi e madhe që ka humb ngjyrat. Por, ende se kemi zgjidh këtë shqetësim pavarësisht përpjekjeve”, tregon drejtoresha e Arkivit.

Digjitalizimi dhe inventarizimi i materialeve filmike është një tjetër punë në procese për specialistët e arkivit.

“Arkivi ka posterin, skenarin, partiturat e muzikës, ne kemi një koleksion të pasur në letër. Në këtë koleksion s’jemi marrë deri më tanë i dhe është hera e parë, që jemi duke inventarizuar negativë për negativë. Mund të kemi nga 10 mijë negativë që mendonim, 17 mijë negativë”, thotë Elezi.

Ndonëse, pandemia Covid 19 ka ndalë çdo aktivitet kulturor,  filmi shqiptarë vazhdon të prezantohen të ndryshme të botës.

“Filmi shqiptarë sapo u prezantua vetëm një javë më parë në zemër të Romës. në janar ishim në Arkivin e Vjenës, edhe në prill do të ishim në Paris, por nga pandemia ky aktivitet do të ndodh në tetor. Ne jemi duke bërë punë shumë të mirë”, shprehet Iris Elezi.

Pas inaugurimit të kompresorit ftohës në Arkiv të Filmit u prezantua për të pranishmit dhe filmi dokumentar “Krah për krah” me regji të Endri Kekos. /shqiptarja/ KultPlus.com

Të ngjajshme